Ballina Aktualitet Llalla: Antimafia zbuloi se droga u trafikua me ndihmën e zyrtarëve

Llalla: Antimafia zbuloi se droga u trafikua me ndihmën e zyrtarëve

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla deklaroi dje se, për çështjen Tahiri, Prokuroria do të vijojë të ndjekë rrugën ligjore. Në përfundim të një aktiviteti të organizuar nga ambasada franceze që kishte në fokus pikërisht luftën kundër trafikut të drogës, Llalla tha se, trafikantët kanë mbështetje nga zyrtarë të lartë. Kryeprokurori u shpreh se, Prokuroria nuk do të tërhiqet nga çështja “Tahiri” ndërsa prokurorët kanë mbështetjen e tij. “Prokuroria do të ndjekë rrugën ligjore, siç është përcaktuar në Kodin e Procedurës, në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm ka detyrimin moral, institucional që të mbështesë veprimet e të gjithë prokurorëve”, u shpreh Llalla.
Më tej, Llalla është shprehur hapur për ndikimin që po tenton të ushtrojë qeveria për çështjen “Tahiri”. “Në Shqipëri së fundmi është miratuar Reforma në Drejtësi. Një prej risive kryesore të saj është krijimi i kushteve për një pavarësi të plotë të prokurorëve gjatë hetimeve të tyre. Pra, ata janë zotër të çështjes. Por, kjo pavarësi e plotë e tyre nuk duhet dhe nuk mund të shërbejë si një mundësi për këdo faktor, të anatemojnë dhe godasin hetimet e prokurorëve. Është shumë e rëndësishme që prokurori, në çdo rast, të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pa frikësuar, edhe në ato raste kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë publikë”, deklaroi Kryeprokurori.
Më herët në aktivitetin e ambasadës franceze, Llalla përmendi deklaratën e kreut të Antimafias italiane, Franco Roberti legalizimin e hashashit dhe shqetësimin për sasitë e mëdha të drogës me prejardhje nga Shqipëria. Kreu i Prokurorisë drejtoi gishtin nga segmente të policisë, që sipas tij kanë favorizuar trafikun.
“Në fakt, shqetësimi i tij nuk është i ri për Prokurorinë shqiptare. Zoti Roberti e ka prezantuar atë edhe gjatë takimeve tona zyrtare. Hetimet e Antimafias italiane, së fundmi, kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë tonelata lënde narkotike kanabis në shumë raste kjo është realizuar dhe me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi. Faktet tregojne se, këto institucione më së paku nuk kanë përmbushur detyrën e tyre”, tha Llalla.
Sipas Kryeprokurorit, është e një rëndësie të veçantë që të kontrollohet vija bregdetare, pasi rastet e fundit kanë treguar se institucionet nuk e kanë bërë si duhet këtë detyrë, që lidhet me monitorimin e hapësirës detare nga sistemi i radarëve.

Trafiku i drogës me mbështetjen e atyre që duhet ta luftojnë

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla duke iu referuar hetimeve të Antimafias italiane tha se, trafiku i drogës drejt Italisë është bërë me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi të rëndë. “Hetimet e Antimafies italiane së fundmi kanë siguruar të dhëna se, grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë, tonelata lëndë narkotike kanabis dhe në shumë raste, kjo është realizuar me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi të rëndë”, deklaroi Kryeprokurori.
Llalla tha gjithashtu se, institucionet duhet të jenë më efikase në punën e tyre, pasi sipas tij faktet tregojnë se, këto institucione më së paku nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre. “Kjo është gjendja aktuale dhe situata nuk është më e mira e mundshme. Institucionet shqiptare sipas detyrave të përcaktuara nga kompetenca e tyre ligjore duhet të jenë më efikas në veprimet në terren. Këtu e kam fjalën edhe për ato institucione që e kanë për detyrë parandalimin, mbledhjen e informacionit, identifikimin dhe referimin e tyre në organin e procedurës të çdo rasti, si të individëve edhe të grupeve kriminale që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Gjithashtu është e rëndësishme të sigurohet një kontroll më i rreptë i vijës kufitare me mjete që ka në përdorim me qëllim zbulimin në kohë të rasteve të trafikut të lëndëve narkotike. Faktet tregojnë se, këto institucione më së paku nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre”, u shpreh Llalla.
Kryeprokurori Llalla ka bërë thirrje për heqje dorë ndaj intimidimit të prokurorëve edhe kur këta të fundit hetojnë zyrtarë të lartë. Sipas Kryeprokurorit është me rëndësi që çdo prokuror të hetojë i pavarur dhe i pafrikësuar. “Është shumë e rëndësishme që prokurori në çdo rast të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pafrikësuar edhe në ato raste, kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë. Në fund të fundit, ky është standardi ndërkombëtar që Shqipëria synon t’i përafrohet dhe ne besojmë se të gjithë bashkë të punojmë që këto standarde të arrihen në një kohë sa më të shpejtë”, u shpreh Llalla.

R.POLISI

Exit mobile version