Kryebashkiaku i Londrës kërcënon me referendum të dytë Brexit

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan ka sygjeruar se mund të mbahet një referendum i dytë në rast se Parlamenti refuzon marrëveshjen e Brexit ndërmjet qeverisë dhe 27 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian. “Natyrisht, kjo është një mundësi, sepse Parlamenti që duhet të jetë sovran nuk mund të refuzojë marrëveshjen e arritur nga qeveria jonë dhe të paralizojë të gjithë”, thotë kryebashkiaku i Londrës për “Sky News”.
Sadiq Khan tha se, kompanitë e mëdha nuk po luajnë bllofin kur kërcënojnë se do t’i largojnë bizneset e tyre nga Londra për shkak të pasigurisë që ka përhapur dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian. Kur e pyetën në lidhje me postimin në Tëitter të CEO-s së Goldman Sachs, Lloyd Blankfein, ku deklaronte se do të shpenzonte më shumë kohë në Frankfurt për shkak të situatës së Brexit, Bhan tha: “Ai po deklaron publikisht atë që shumë krerë koorporatash dhe investitorë që e pëlqejnë punën në Londër janë duke e diskutuar privatisht. Në rast se nuk u ofrohet siguri për atë që do të ndodhë pas 29 marsit 2019, ata do të duhet të ndjekin planin B”.
“Ai nuk po luan bllofin. Unë flas çdo ditë me bizneset dhe nuk po luajnë bllofin”, vazhdoi Khan. “Ata nuk mund të dalin përpara aksionerëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre pas muajit mars 2019 dhe t’u thonë: Na vjen shumë keq, por harruam të bënim plane të tjera, këtë nuk e kishim parashikuar dhe do të paguajmë një çmim të madh. Kjo është arsyeja përse kryeministrja dhe qeveria duhet të deklarojnë menjëherë se çfarë planesh kemi për periudhën e tranzicionit, duke përfshirë periudhën kohore sa do të zgjasë dhe çfarë do të ndodhë ndërkohë. Në të kundërt, kam frikë se shumë biznese të tjera do të deklarojnë planet e txre për t’u larguar nga Londra. Qeveria duhet t’i ofrojë bizneseve sigurinë që i nevojitet”, tha kryebashkiaku i Londrës, Khan.

Presione nga biznesi
Nga ana tjetër, qeveria e Theresa May është duke u përballur me presione të mëdha nga bizneset, por edhe opozita sa i përket marrëveshjes tranzitore. Pesë shoqatat më të mëdha të biznesit të Britanisë së Madhe i kanë dërguar një letër sekretarit të Brexit, Davis Davies, ku kërkojnë arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes tranzitore me Bashkimin Europian.
Punëdhënësit në Britaninë e Madhe janë duke paralajmëruar se, nëse nuk arrihet marrëveshja sa më parë, mund të ketë pasoja të rënda mbi investimet dhe punësimin. Një numër kompanish të sektorit financiar kanë filluar që tani të blejnë zyra në Dublin, Amsterdam, Paris dhe Frankfurt, duke planifikuar një transferim të mundshëm. Paralajmërimi vjen për shkak se numri i kompanive në Mbretërinë e Bashkuar që kanë pasur të ardhura më të ulëta seç ishin projektuar, ka arritur deri në 75 për qind, duke reflektuar kështu një ngadalësim të rëndë të ekonomisë britanike, sipas raportimeve të “Reuters”. Shumë kompani tani po ndjejnë presionin e rritjes së kostove për shkak të zhvlerësimit të paundit britanik.

Presioni politik
Gjatë fjalimit të saj në Firence, Theresa May sugjeroi një periudhë tranzicioni dy-vjeçare gjatë së cilës Britania e Madhe të kontribuojë në buxhetin e Bashkimit Europian dhe të ketë akses në tregun e përbashkët. Problemi është që në këtë mënyrë Britania e Madhe do të duhet të paguajë edhe për detyrime afatgjatë që Bashkimi Europian dhe 28 vendet anëtare kanë marrë përsipër. Qeveria britanike nuk ka vendosur nëse do të marrë përsipër këtë përgjegjësi përpara arritjes së një marrëveshjeje tregtie.
Sekretari ndërkombëtar i Tregtisë, Liam Fox, tha për BBC ditën e dielë se, Britania e Madhe nuk po bie dakord në marrëveshjen përfundimtare dhe shumën totale që do të paguajë përpara se të krijohet imazhi i qartë e marrëdhënieve të ardhshme të tregtisë me BE-në. Në një letër të drejtuar “Sunday Times”, sekretari i Brexit për laburistët, Keir Starmer, i paraqiti qeverisë një ultimatum sipas të cilit qeveria britanike do të duhet të pranojë gjashtë amendimet e paraqitura nga partia laburiste, përndryshe do të mbështesin parlamentarët e tjerë për të kërkuar miratimin e marrëveshjes finale të Brexit nga Parlamenti.
Në amendimet e paraqitura prej tyre përfshihen kërkesa për garantimin e të drejtave të punonjësve dhe konsumatorëve, si edhe standardet mjedisore. Më tej, qeveria do të duhet të shfuqizojë një pjesë të kompetencave ekzekutive që Brukseli mban mbi administratat e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës Veriore.