Kapet në Itali kamioni me drogë me vlerë 1 milion euro

Policia italiane ka sekuestruar 120 kilogram kanabis në Ferrara dhe ka arrestuar pesë persona, të cilët janë shqiptarë, marokenë dhe spanjollë. Sipas hetuesve, vlera e drogës do të kapte vlerën e 1 milion euro nëse do të shitej me pakicë. Sipas mediave italiane, shqiptarët e arrestuar janë Vital Meço 43 vjeç, Tonin Bibaj 33 vjeç dhe Alfred Gjoka 36 vjeç, ndërsa dy të tjerët Joaquin Martinez 37 vjeç dhe Nour Eddine Benazzi 43 vjeç.
Droga u gjet e fshehur nga policia në një kamion mallrash që transportonte mandarina, portokall dhe shegë. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se marijuana ishte transportuar nga Spanja dhe destinacion ishte tregu italian.
Në momentin e arrestimit, kamioni drejtohej nga spanjolli, ndërsa marokeni ishte pasagjer, kurse tre shqiptarët ishin persona që po prisnin ngarkesën. Hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë rast të trafikut të drogës.
Policia italiane ka qenë në pritje të një kamioni, ku sipas informacioneve paraprake brenda kishte lëndë narkotike. Në drejtimin e mjetit ka qenë një spanjoll dhe e shoqëronte një maroken.
Në pritje të tyre në një depo në Ferrara ishin tre shqiptarë. Pasi kanë ndaluar dhe biseduar për disa minuta, ata kanë filluar të shkarkojnë drogën e mbështjellë mirë, që ishte fshehur midis arkave të mbushura me mandarina dhe shegë.
Policët ndërhynë dhe arrestuan pesë personat menjëherë, pasi përfunduan shkarkimin e drogës. Sipas mediave, shoferi është munduar të shfajësohet menjëherë duke thënë: “Nuk dija gjë për drogën, transportoj vetëm fruta”.
Pas një kontrolli në shtëpinë e një prej shqiptarëve, policia arriti të bllokonte gjithashtu edhe disa gramë kokainë të pastër. Automjeti i mbushur me marijuanë ishte nisur nga Spanja dhe duhej të ndalonte në Ferrara. Pastaj do të ndalonte edhe në disa qytete të tjera italiane, midis tyre edhe në Milano.