Berluskoni i zhgënjyer

 

Pas një heshtjeje të gjatë, Silvio Berlusconi është rikthyer të flasë për Milanin dhe ka ngrirë të gjithë tifozët kuqezi. “E kam ditur që ka disa probleme financiare. Më shqetëson shumë heshtja e z. Li nëse gjërat vijojnë të shkojnë kaq keq, është e vërtetë që në pranverë skuadrën mund ta marrë përsipër Fondi ‘Elliot’, por problemet financiare nuk zhduken”, tha Berlusconi.
Ish-presidenti i kuqezinjve thekson se, nëse kuqezinjtë nuk do t’ia dalin të kualifikohen në Champions League, atëherë situata ekonomike do të jetë shumë alarmante. “Nëse gjërat do të shkojnë keq dhe nuk do të kualifikohemi në Champions, atëherë e ardhmja do të jetë e zymtë. Edhe pse skuadrën mund ta marrë Fondi ‘Elliot’, sërish bilancit do t’i shtohet një humbje prej më tepër se 100 milionë eurosh dhe kjo gropë do të kërkojë vite që të mbyllet”, tha Berlusconi. Rezultatet negative dhe vendi i 11 në renditjen e serisë A ishin një skenar i paparashikuar për drejtuesit e Milanit, që pas merkatos emocionuese të verës dhe shumë lojtarëve të rinj, mendonin se në 9 javët e para do të ishin më lart në hierarki.
Pesha kryesore tashmë ka rënë mbi supet e trajnerit Montella që dëgjon orë pas ore kandidatë të panumërt për ta zëvendësuar. Atmosfera është e tensionuar në kampin e kuqezinjve dhe si për ta shtuar këtë gjendje, menduan dhe polemikat për shiritin e kapitenit të Bonuccit.
“Nga verifikimet e mia më rezulton që Bonucci asnjëherë nuk ka braktisur rolin e kapitenit, asnjëherë nuk ka bërë një hap pas dhe pjesa tjetër janë vetëm lajme shqetësuese. Është e kuptueshme që dëgjoj edhe për emra trajnerësh të rinj, por unë jam i motivuar dhe e ndjej që skuadra është gati për të shpërthyer”, tha trajneri Montella.
Fusha e lojës në këtë lloj situate është si një frymëmarrje e shtuar për futbollistët dhe trajnerët. Përballë këtë mesjavë do të jetë Chievo, të cilën Milani do ta përballojë me skemën 4-3-3.
“Moduli statik i pëlqen të gjithëve, por duhet të përqendrohemi tek ndeshja. Chievo nuk humbet që prej 9 shtatorit, është një skuadër tipike italiane dhe do të na japë pak hapësira”, tha trajneri i Milan. Kuqezinjtë do të luajnë të mërkurën në orën 20:45 në Verona kundër Chievos.
Arlind RAMA