Ballina Sport 3 shkollat më të mira të futbollit

3 shkollat më të mira të futbollit

“Rezultati pa cilësi është i mërzitshëm. Cilësia pa rezultat nuk ka kuptim”. Janë akoma parimet e Cruijff dhe të futbollit total që udhëheqin “De Toekmost”, e ardhmja, sektori i moshave të Ajax-it. Aktualisht ka 220 të rinj që ëndërrojnë të jenë mes të paktën tre vetave që klubi do të vendosë t’i marrë në ekipin e parë. Ajax, sipas studimit të fundit të CIES, është miniera e vërtetë e arit e Europës. Atje janë rritur 71 lojtarë, të cilët tani aktivizohen në 31 kampionate të Europës.
METODA TIPS – Stërvitja shkencore dhe vëmendja ndaj detajeve bëjnë diferencën në “Amsterdam Arena”. Ushtrimet për zotërimin e topit dhe cilësinë e pasimeve janë baza e stërvitjes së fëmijëve të çdo moshe, të gjithë të mësuar me të njëjtin model: 4-3-3 sulmues, futboll krijues dhe i shpejtë, i përbërë nga vertikalizime të shumta dhe shfrytëzimin e krahëve. Sekreti i të rinjve të Ajax qëndron në katër fjalë, TIPS: Technique, Insight, Personality, Speed. Teknikë, vizion, personalitet dhe shpejtësi, katër asët që një talent premtues i Ajax duhet të tregojë se i ka. Që në moshën 8 vjeç fëmijët mësohen të përmirësojnë ekuilibrin, të zhvillojnë një ritëm të lartë loje dhe të godasin me të dyja këmbët. Mësojnë menjëherë të vrapojnë jo vetëm drejt topit, por edhe larg, të godasin edhe nga krahët dhe jo vetëm përpara. Trajnerët janë të vëmendshëm ndaj tetë aspekteve: teknika, taktika, know-how, vrapim dhe rezistencë atletike, formimi i personalitetit, marrëdhënia me trajnerët, stërvitja, rendimenti në ndeshje.
ITALIA – Italia, siç e ka konfirmuar edhe Raporti Futboll 2016 i publikuar nga FIGC, ka sektorin e moshave më pak frytdhënës mes pesë kampionateve kryesore të Europës. CIES ka zbuluar se vetëm 6,6% e lojtarëve aktualë të Serisë A kanë dalë nga ekipet e moshave të skuadrave respektive. Me pak fjalë, kemi të bëjmë me një kampionat që preferon të eksportojë më shumë se të besojë te të rinjtë më të mirë që ka në dispozicion. Kështu, nuk është një rastësi që mes 50 ekipeve të para që vlerësojnë më shumë të rinjtë është vetëm një skuadër italiane, Inter, që vitin e kaluar ka fituar të gjitha kampionatet e moshave. Por 44 të rinjtë që zikaltrit kanë në ekipet zinxhir nuk kthehen në burime të çmueshme për ekipin e parë. Gjithsesi, sipas gazetarit të Eurosport, Alberto Coriele: “Ekipet e moshave i kanë siguruar zikaltërve 160 milionë euro në 10 vitet e fundit. Ndoshta për shkak të mungesës së durimit dhe tërheqjes së madhe ndaj lojtarëve të huaj, por fakti është se numri i të rinjve është shumë i ulët”. Ndërkohë, sipas CIES skuadra italiane që ka aktivizuar më shumë të rinj mbetet Roma, që ka rritur 20 lojtarët, të cilët aktualisht luajnë në një prej 5 kampionateve kryesore të Europës. Skuadra e tretë italiane në këtë renditje të veçantë pas Inter (23) dhe Milan (22).
PERLAT E BALLKANIT – Mbrapa Ajax-it, për numrin e futbollistëve të formuar dhe të aktivizuar në Europë, nuk është “La Masia” e Barcelona-s dhe as “La Fabrica” e Real Madrid. Me 67 lojtarët që aktualisht luajnë në Europë, shkolla e dytë më e mirë e Europës është në Kroaci dhe është ajo e Dinamos së Zagrebit. 11 klasa moshash dhe 250 të rinj dalin prej aty çdo vit. Nga ty kanë dalë Alen Haliloviç, që ka qenë debutuesi më i mirë, në moshën 16 vjeç e tre muaj, në historinë e klubit, Luka Modriç, Dejan Lovren, Vedran Corluka, Mateo Kovaçiç, Niko Kranjçar, pa harruar paraardhësit e tyre Robert Prosinecki dhe Zvonomir Boban. Shkolla e Dinamos ka lindur në 1945-ën.
PARTIZANI – Kryeqyteti tjetër i futbollit për eksport në Ballkan është Beogradi. Nga ekipet zinxhir të Partizanit kanë dalë në vitet e fundit Stevan Jovetiç, Matija Nastasiç, Adem Ljajiç, Lazar Markoviç, Aleksandar Mitroviç, Milos Jojiç i Borussia Dortmund. Prej disa vitesh, shpjegonte drejtori Vukotiç për “ESPN” në 2014-ën, fëmijët futen që në moshën 8 vjeç dhe jo më 12-13. “Ishin fëmijë dhe kishin mësuar të luanin në rrugë, mes pallateve, duke zhvilluar krijimtarinë dhe lirinë e mendimit. Kjo është ajo që ne duam, të rinj që të kenë hapësirë për të gjetur zgjidhje të reja pa asnjë formë presioni”. Por, nëse në epokën e Jugosllavisë së madhe kur dilte nga ekipet e moshave qëndronte te klubi deri në moshën 28 vjeç, sot klubi ka në Europë plot 61 lojtarë. Por vetëm 4 luajnë me ekipin e parë. Suksesi i tyre, shpjegonte Vukotiç, është një kënaqësi e madhe për të gjithë. Sepse nëpërmjet historive të tyre, të rinjtë e brezave të ardhshëm mund të shohin se çfarë objektivash kanë përpara tyre. Në fund, për të gjithë vlen i njëjti leksion. Cilësia dhe rezultati duhet të ecin paralelisht.

Exit mobile version