Garanti i mafia-s sulmon prokurorët

Mbrojtja më e mirë është sulmi. Kjo funksion me Ramën. I trembur në palcë nga hetimet për Tahirin dhe çmontimi i organizatës kriminale, Rama lëshoi dje një lumë akuzash kundrejt Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Rama deklaroi publikisht se për të nuk ka rëndësi ajo çfarë thotë Prokuroria, por e rëndësishme është që të mbrohet Tahiri me votën kundër institucionit të akuzës në Parlament.
Rama është bërë qesharak, duke deklaruar edhe se deri ku mund të lejonte që Prokuroria të hetojë Tahirin. Ai tha se pranon të qëndrojë në një vend të caktuar , por kurrsesi të arrestohet. Ky është niveli më qesharak i një Kryeministri.
“Me ca letra magazine nga Italia, por me demek për të bërë drejtësi. Kush e inskenoi pas 25 vitesh atë stafetë barbarie, mes politikës që baltos dhe drejtësisë së burgos. Nuk besoj që ata njerëz me shkollë me një farë eksperiencë që ato 4 fletë bakalli justifikojnë faturën e arrestit të një deputeti. Kaq për atë shfaqje dramatike dhe komike”, tha Rama.
Megjithëse njoftoi përjashtimin e Saimir Tahirit, nga PS-ja, forumet dhe postet në parti deri në përfundim të hetimeve, Rama tha se Prokuroria nuk ka prova.
“Ku u gjet ky zell i madh i një Prokurorie që s’ka lëvizur as fijen e flokut ndaj krimit, me një bilanc memec, me ca akuza të pabaza. Vazhdon avazi, policia kap natën dhe kriminelët vijnë në mëngjes, duke dredhur zinxhirin në dyert e gjykatave”, shtoi Kryeministri.
Ai madje bëri paralelizim mes situatës ku ndodhet sot Tahiri, me atë të ish-Kryeministrit socialist Fatos Nano.
“Arbitrariteti është i patolerueshëm. Drejtësi po, deri në fund. Ta harrojnë arbitraritetin. Ku bën vaki në cilin shtet, që t’i kurohet të akuzuarit që të provohet se nuk është fajtor. Ai që akuzon duhet të vërtetojë çdo akuzë që ngre. Akuzuesi nuk jep asnjë provë. Kjo barbari a nuk u ngjan me atë që ndodhi në fillim të viteve ’90 që drejtësia çoi pas hekurave kryetarin e partisë tonë?”
Kryeministri foli për akuza inatçore dhe komplot, megjithëse nuk solli në fjalën e tij, asnjë fakt, sepse ‘komploti’ ndaj Tahirit është i inskenuar politikisht.
“Të gjithë presin që t’i bashkohem qëndrimit të Tahirit kundër një gjyqi farsë, që i ngjan një farse të inskenuar nga inatçorë. Por jo, edhe më parë i bëhej i njëjti gjyq nga prokurorët dhe gjykatat. Gjyq politik, kopje surrogato”, sqaroi Rama.
Rama shkoi më tej, kur tha se uronte me “mish dhe me shpirt” të mos bëhej pishman për besimin që i kishte dhënë Tahirit.
“Pasi gjithçka bëmë në një punë dreqi, nuk kanë munguar gabimet, por nuk kemi gabuar me qëllim. Uroj të mos e kem pishmanin e jetës time gjithçka i kam dhënë dhe kam marrë nga Tahiri që kur hyri në PS”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Fjalimi i Kryeministrit, ishte i paqartë dhe kjo u reflektua në dy momente.
Së pari, ai përjashton Tahirin nga çdo pozicion në PS, të njëjtën gjë bëri me Kokëdhimën, apo Tom Doshin.
Së dyti, sulmon Prokurorinë.
Nëse Rama është i bindur se, Prokuroria nuk ka prova, ka një bilanc memec, vepron sipas interesave politike, komploti është i ngjashëm me atë ndaj Nanos, atëherë pse duhet të përjashtojë Tahirin?….
“Tahiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit të Partisë Socialiste dhe jashtë Grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Tahiri do të jetë 1 njeri i lirë deri në fund të këtij procesi”, tha Rama
Ndërkaq, dhe Prokuroria nuk qëndroi gojëkyçur përballë sulmit të Ramës.
Në një deklaratë të shpërndarë në media, organi i akuzës, ia bëri të qartë të parit të qeverisë, se nuk do intimidohet nga asnjë goditje politike, pasi kjo pritej që në momentin e parë kur ka nisur hetimet për Tahirin.
“Kryeministri Edi Rama, shpreh keqardhjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda, është shprehur në media menjëherë pas fjalës së tij përpara grupit socialist, lidhur me kërkesën për hetim të deputetit Saimir Tahiri. Kryeministri i Shqipërisë, mbron pikëpamjen se detyra e organit të Prokurorisë nuk është as të dëgjojë politikën, as të replikojë me politikanët, as të publikojë në media opinionet e saj, për çfarë thotë një politikan a një tjetër”, deklaron Zyra e Shtypit në Kryeministri.