Pas Austrisë, të Djathtët triumfojnë edhe në Çeki

Kryeministri i ardhshëm i Çekisë, Babis ka në plan të krijojë në BE një aleancë kundër refugjatëve. Për këtë, ai nuk do të kufizohet vetëm me shtetet e Vishegradit.
Pas fitores së partisë së tij populiste ANO në zgjedhjet parlamentare, fituesi i tyre bëri edhe njëherë të qartë se për se do të luftojë. Andrej Babis tha se, synimi i tij është një aleancë kundër refugjatëve në Bashkimin Evropian. Ai do të kërkojë mbështetje tek shtetet e tjera të BE për luftën e tij kundër imigrimit, tha kryetari i partisë në një intervistë në Pragë me agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Duhet të përgatisim fusha tematike, duhet të bëjmë të qartë në Këshillin Evropian atë që duam të ndryshojmë”

Babis kërkon të bëjë për vete Kurz-in e Austrisë
Ashtu si Viktor Orbani në Hungari dhe Jaroslav Kaczynski në Poloni miliarderi Babis, kërkon mbylljen e kufijve evropianë dhe paralajmëron për rrezikun e terrorizmit nga migrantët. Por në iniciativat e tij, ai nuk do të përqendrohet në shtetet e Vishegradit, ku krahas Çekisë bën pjesë edhe Polonia, Hungaria dhe Sllovakia. Te fituesi konservator i zgjedhjeve në Austri, Sebastian Kurz, ai sheh një aleat në politikën e anti-imigrimit, tha Babis. “Grupi i Vishegradit ka nevojë për aleatë të tjerë, na duhet Austria dhe shtete të tjera në Ballkan, Sllovenia, Kroacia e ndoshta të tjerë”.
Këtë qendrim e kritikon kryeministri çek socialdemokrat në largim, Bohuslav Sobotka. Ai u shpreh i tmerruar për zhvendosjen djathtas të elektoratit. Edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, i kritikoi shprehjet e Babisit kundër migrantëve. “Në vitin 1968 ne në shumë vende të BE, edhe në Luksemburg qemë krenarë që t’u jepnin një shans për një jetë të re refugjatëve të Çekosllovakisë së atëhershme”, tha Asselborn për gazetën “Tagesspiegel”.

Çekia para një formimi të vështirë të qeverisë
Partia ANO do të jetë në të ardhmen forca më e madhe politike në Parlament, me 78 nga 200 mandate në Parlamentin çek. Në të njëjtën kohë, miliarderi Babis ndodhet para një formimi të vështirë të qeverisë. Gjithsej në Parlamentin e ri hynë nëntë parti. Kryeministri i deritashëm socialdemokrat Sobotka dhe kristiandemokratët, të cilët patën ndërtuar së fundi një koalicion me ANO deklaruan që tani se nuk duan të hyjnë në një koalicion nën ANO-n.
Partia e protestës ANO, e themeluar nga personi që zë vendin e dytë për nga pasuria në Çeki, mblodhi mbështetës si në kampin e majtë, ashtu edhe në atë të djathtë. Para së gjithash, pakënaqësia për klasën politike ia siguroi asaj sipas analistëve fitoren. ANO premton se do të ulë taksat, do të largojë nga pushteti politikanë të korruptuar dhe se do të mbyllë kufijtë evropianë, në mënyrë që në Çeki të mos hyjë asnjë refugjat i vetëm.

Oligark egocentrik
Politologu çek Jiri Pehe, ndërkohë nuk sheh te Babisi një nacionalist të tipit të Jaroslaw Kaczynskit në Poloni ose të Viktor Orbanit në Hungari. 63-vjeçari nuk ka bindje të forta apo ide, ai do më tepër të shtojë pasurinë e tij, i tha Pehe agjencisë së lajmeve dpa. Më shumë ai i ngjan Presidentit amerikan Donald Trump ose ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni, se sa zotërinjve të grupit të Vishegradit.