Noka: Tahiri i premtoi Ramës se sdo fliste nëse ai e mbronte nga arrestimi

Flamur Noka deklaron se kryeministri Edi Rama po mbron ish-ministrin Saimir Tahiri pas garancisë që mori nga ky i fundit me kushtin se nuk do e fundoste edhe atë. Në një mesazh në faqen e tij të “Facebook”-ut se Rama u shfaq publikisht, pasi ishte fshehur për 4 ditë. Ja postimi i Nokës: “4 ditë u fsheh, nuk e pa njeri ku kishte futur kokën, jepte e merrte me Tahirin, i çonte emisarë e ndërmjetës, dhe pasi nënshkroi paktin me të, paktin ku ish-ministri nën akuzë ndërkombëtare për trafik droge nuk do e marrë me vete në pusin e thellë të drogës e parave të pista ku janë zhytur bashkë, e bashkë me të dhe shumë ministra e familjarë të tij, vetëm pasi u sigurua që Tahiri s’do flasë, dhe pasi Tahiri mori mbrojtje prej tij, duke mos lejuar Prokurorinë të bëjë punën e saj, Edi Rama u shfaq në publik.
4 ditë në errësirë, në ethe, merr e jep mes kupolës mafioze të vendit, këto 4 ditët e fundit kanë treguar për çdo shqiptar, për të madh e të vogël, se cili është narko-shteti që kishim në 4 vite. Dhe kush ishte në krye të këtij narko shteti? Ai u denoncua vetë faqe gjithë botës. Ishte ai që u zhduk në këto 4 ditët e fundit, ku të palarat dolën në shesh. Që nuk ia pa askush fytyrën. Mori garanci nga Tahiri që sdo flasë për përfshirjen e tij direkte, që sdo përdorë prova, filmime e fakte që ai i ka për të, për ministra e për Olsa, dhe pas kësaj u shfaq me predikimin e zakonshëm, dhe sulmin ndaj opozitës. Edi Rama është i vetmi që i merr shqiptarët për budallenj, sikur nuk e kuptojnë çfarë ndodhi.
Pse u zhduke këto 4 ditë? Ku ishe futur? Çfarë ka Tahiri për ty, që të bëri të fshihesh në skuta të errëta? Por nga ana tjetër, për shqiptarët u bë e qartë gjithçka. Ti zgjodhe Tahirin, përpara drejtësisë italiane, përpara partnerëve ndërkombëtarë, përpara drejtësisë shqiptare. Ti zgjodhe Tahirin përpara qytetarëve shqiptarë, edhe pse i faktuar me mijëra faqe nga drejtësia italiane si i përfshirë direkt në trafik droge. Ti zgjodhe kupolën mafioze, paktin me krimin, dhe jo të ardhmen e vendit. Pse e bëre këtë zgjedhje??? Shumë e thjeshtë, sepse zgjodhe për të mbajtur edhe ca kohë pushtetin. Rruga tjetër, lëshimi i Tahirit, lënia e drejtësisë të funksionojë, ishte tatëpjeta jote, fundi më i keq, më dramatik se çdo ankth që ke përjetuar këto 4 ditë. Kjo që zgjodhe, është rruga më e shkurtër, por jo më e sigurta. Edi Rama ka fituar vetëm pak kohë. Por fundi është i afërt….Tashmë nuk ka zgjidhje tjetër veç rrëzimit të tij”, shkruan Noka në reagimin e tij.