Mashtrimi me FBI, do vijë një firmë private me qëllime fitimi pa asnjë lidhje me FBI

“Po diskutojmë me një kompani hetimesh dhe auditimesh që drejtohet nga agjentë të FBI-së…. ish-agjentë të FBI-së, që do vijnë këtu”.
Këtë pohoi Kryeministri para drejtuesve të policisë dhe deputetëve të Komisionit të Sigurisë. Në fakt, Kryeministri fillimisht u shpreh për kompani që drejtohet nga “agjentë të FBI-së”, por menjëherë u vetëdijësua se ky ishte keqinformim i hapur dhe, pas një pushimi mendues, e korrigjoi veten duke thënë “ish-agjentë të FBI-së”.
Njoftimi u bë në kuadër të informimit të kryeministrit se, qeveria shqiptare po merr ndihmë nga partnerët e huaj. Për ta ilustruar këtë fakt, ai pohoi se në ditët e ardhshme do të vijë në Tiranë një agjent i FBI-së dhe një agjent i forcave të rendit të Gjermanisë, të cilët sipas tij do t’i japin ndihmë policisë në luftën kundër krimit.
Por konteksti i pohimit dhe qëllimi i pohimit është jo vetëm keqinformues, por ngre një sërë pikëpyetjesh serioze.
Firma private së cilës i referohet Kryeministri Rama dhe që pritet të kontraktohet në ditët e ardhshme është Freeh Group International Solutions, firma e themeluar dhe e drejtuar nga Louis J. Freeh, ish-drejtori i FBI-së në periudhën 1993-2001.
Firma, në të cilën Freeh ka angazhuar ish-agjentë të FBI-së dhe ish-punonjës së zbatimit të ligjit, është e specializuar në investigime private për çështje të mashtrimit dhe korrupsionit financiar në organizatat private dhe në auditimin financiar dhe ligjor të kompanive.
Lousi Freeh, është një individ me emër dhe përvojë në fushën e hetimeve dhe me akses në shumë rrethe të forcave të zbatimit të ligjit dhe të politikës në Uashington. Megjithatë, aktiviteti i tij është privat dhe për qëllime fitimi dhe i palidhur me FBI-në apo me institucionet e tjera të qeverisë amerikane.
Edi Rama ka vendosur për kontraktimin e tij para disa muajsh, dhe qëllimi kryesor duket se është më shumë ai i lobimit dhe i imazhit se sa i hetimit.
Louis Freeh e vizitoi privatisht Shqipërinë në muajin mars 2017. Gajtë kësaj vizite u bë publik takimi i tij me ministrin Fatmir Xhafaj, ditën e parë të punës së këtij të fundit, pasi ai zëvendësoi Saimir Tahirin. Ministria e Brendshme dhe mediat proqeveritare e shitën takimin si një takim zyrtar dhe si mbështetje e FBI-së për qeverinë dhe ministrin Xhafaj, por vetë Freeh u shpreh se kishte ardhur në mbështetje të 3 mijë muxhahedinëve iranianë që streohen në Shqipëri.
Exit.al në atë kohë kontaktoi me zyrën e shtypit të FBI-së, e cila në një përgjigje të shkurtër informoi se:
“Louis Freeh është qytetar privat, i cili vepron si i tillë. Ai nuk ka aktualisht asnjë lidhje formale, dhe nuk përfaqëson në asnjë lloj mënyre FBI-në apo organizatat ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara”.
Nuk dihet nëse kontrata që po diskutohet me Freeh është diskutuar që në mars, apo nëse takimi i atëhershëm me Xhafën krijoi njohjen që ka çuar në bisedat e mëvonshme për kontraktimin e shërbimeve të tij. Sidoqoftë, është e qartë se pas sigurimit të mandatit të dytë dhe veçanërisht në kushtet e trysnisë së madhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Kryeministri Rama duket se ka vendosur ta kontraktojë Freeh.
Si në çdo rast tjetër, edhe në ketë rast praktika e kontraktimit nga qeveria është krejtësisht jo-transparente. Nuk dihet se cila do të jetë fusha specifike e konsulencës apo shërbimeve që do ofrojë firma e Louis Freeh; sikurse nuk dihet se çfarë statusi mund të kenë një grup hetuesish privatë të kontraktuar nga një institucion publik i zbatimit të ligjit.
E paqartë është gjithashtu baza dhe procedura e kontraktimit të firmës nga ana ligjore, pasi ligji kërkon që qeveria të përdorë procedurë konkuruese, me shpallje ndërkombëtare, për marrjen e shërbimeve të tilla.
Një shqetësim tjetër është, natyrisht edhe mënyra se si do të harmonizojë Ministria e Brendshme ndihmën zyrtare në konsulencë dhe këshillim teknik nga FBI-kryeministri Rama ka shpallur ardhjen në Tiranë të një agjenti të FBI-së-me një grup hetuesisht privatë, me gjasa ish-agjentë të FBI-së.
Një gjë mund të hamendësohet lehtë: kontraktimi i Freeh duket se ka më shumë qëllim për të përfituar prej emrit, ndikimit dhe kontakteve të tij lobuese në fushën e zbatimit të ligjit dhe politikës së SHBA-ve, se sa produktin konkret të shërbimeve të tij teknike.
Bashkëpunimi me Freeh është në vazhdën e qasjes së zakonshme të Kryeministrit Edi Rama për të patur akses në qarqet politike ndërkombëtare përmes ish-politikanëve apo qeveritarëve që kërkojnë të bëjnë para, duke shitur emrin, lidhjet dhe ndoshta ekspertizën e tyre, pas përfundimit të karrierave publike.
Gjatë qeverisjes së tij, ai ka kontraktuar apo u ka dhënë kontrata konsulence një numri ish-funksionarësh apo figurash të njohura publike, përfshi ish-kryeministrin britanik Tony Blair; gruan e tij, Cherri Blair; ish-presidentin e EBRD-së Jacques Attali; ish-kryeministrin suedez Goran Person; profesorin Ricardo Hausman dhe Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar që ai drejton në Universitetin e Harvardit; ish-drejtorin e komunikimit të Tony Blair, Alaistair Campbell; etj.
Të gjithë këta persona janë përdorur kryesisht për arsye propagande dhe imazhi vetiak ose partiak nga Kryeministri Rama, pa dhënë ndonjë shërbim të mirëfilltë ndaj vendit.
Pas një karriere të shkëlqyer si hetues special i FBI-së dhe pastaj Gjykatës në Gjykatën e Qarkut të Nju Jorkut, Louis Freeh shërbeu si drejtori i FBI-së për 10 vjet, nga 1993 në 2003.
Pas dorëheqjes nga ky post, ai ndoqi rrugën që ndjekin shumë ish-politikanë apo zyrtarë të lartë amerikanë, kur mbyllin karrierat publike, shërbejnë në bordet e kompanive private apo krijojnë firma private, me qëllim që të sigurojnë para, duke shitur klientëve emrin, ekspertizën apo lidhjet e tyre.
Me dy kompanitë e tij, Freeh Group International Solutions dhe Freeh Sporking & Sullivan, Freeh u ka shërbyer klientëve të të gjitha llojeve, nga FIFA tek Daimler tek Universiteti Penn State në SHBA. Jo rrallë, ai ka mbrojtur klientë që akuzoheshin në fakt për korrupsion nga qeveri apo organizata të zbatimit të ligjit si Princi i Arabisë i dyshuar në korrupsion në blerje avionësh ushtarakë, një miliarder izraelit, që akuzohej për korruptimin e një qeverie afrikane për një koncesion minerar, apo, së fundmi, një biznesmen rumun të dënuar për korrupsion nga gjykatat rumune.
Freeh ka krijuar një pasuri të madhe nga praktika e tij private dhe së fundmi bëri bujë në mediat amerikane pas blerjes së një vile me vlerë gati 10 milionë dollarë.

“Exit.al”