LSI: Ka një grup të strukturuar kriminal në përbërje të qeverisë

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka dalë në një konferencë për shtyp për mediat nga selia e partisë ku ka deklaruar se deputetët e kësaj force politike do votonin të mërkurën pro kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit, Tahiri. ‘Grupi i LSI rithekson edhe një herë qëndrimin parimor të saj, ligjor, e në përputhje jo vetëm me moralin tonë politik, por edhe me aspiratën e qytetarëve që presin nga Kuvendi qasje, që respekton ndarjen e pushteteve, ndaj ne do votojmë pro miratimit të kërkesës së Prokurorisë për t’i çelur rrugën çdo veprimi procedurial, që organi i akuzës e çmon se i shërben çdo hetimi të paanshëm dhe zbardhjen e të vërtetës në lidhje me një deputet të mazhorancës”.
Më tej, në deklaratën e tij Rama theksoi se nuk bëhej fjalë thjesht për një individ, por përballë një grupi të strukturuar kriminal që ka shtrirë tentakulat e tij edhe në përbërje të qeverisë. ‘S’jemi përpara një individi, por përballë veprimit të organizuar të një grupi të strukturuar kriminal, që fatkeqësisht gjen tentakulat e veta edhe në përbërje të qeverisë. Kjo është arsyeja e sulmeve të ndërmarra ditët e fundit dhe të artikuluara më drejtpërdrejt sot nga kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar. LSI jo vetëm distancohet, por e dënon qartë e prerë sulmin mbi organet e drejtësisë si përpjekje për ta devijuar fokusin e sistemit të drejtësisë, te qëndrimet e kompromentuara të shumicës parlamentare, e cila po dëshmon se ka zgjedhur që në sfidën mes shtetit dhe grupeve të organizuara kriminale të mbajë anën e krimit’. Në fund, ai theksoi se LSI mbështet qëndrimin e PD-së, për të bojkotuar komisionet parlamentare, me përjashtim të mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë, për shkak të rëndësisë së saj.
Po dje, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka fajësuar kryeministrin Rama, për situatën e rëndë kriminale në vend. Ai analogon, gjendjen e trazuar politike, me një poemë të hershme, ku shprehet se “Ec e ec e s’kanë të sosur kriminelët e Rilindjes…”. “Kryeministri, edhe sot në mbledhjen e deputetëve të Rilindjes, i përfshirë prej panikut e frikës, na dëshmoi të gjithëve që ai është përgjegjësi kryesor për situatën e rëndë kriminale në vend! ‘Ec e ec e s’ka të sosur ky kanali i Myzeqesë’ – thuhet në një poemë të viteve të para të epokës socialiste! Fare mirë sot nën qeverisjes e kriminelorilindjes, ato vargje mund të përshtaten: “Ec e ec e s’kanë të sosur kriminelët e Rilindjes…”, shkruan Rama.
Ndërkohë po dje, Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka cilësuar sjelljen e kryeministrit Rama, si atë të një shërbëtori të trafikantëve të drogës. Sipas tij, këto janë ditë të zeza për vendin, pasi kryeministri i është dorëzuar totalisht krimit. “Kryeministri njësh me krimin. Ditë shumë e keqe për vendin. Kryeministri i dorëzuar, peng dhe shërbëtor i trafikantëve dhe kriminelëve sot e pranoi publikisht përpara gjithë shqiptarëve këtë. Reforma në Drejtësi e këtij të inkriminuari në krye të qeverisë sot ka rënë”. “Kryeministri donte Reformë në Drejtësi që të mbronte trafikantët dhe kriminelët që i mbështeste dhe i përdorte dhe një drejtësi tjetër që godet pa mëshirë njerëzit e zakonshëm, të pambrojturit dhe të varfërit”, shkruan Vasili.