Kryemadhi: Kryeministri iu dorëzua pa kushte krimit dhe trafikantëve

Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka dalë në një prononcim për mediat nga selia e partisë, ku ka reaguar për deklaratat e kryeministrit Rama në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS-së. Sipas Kryemadhit, me atë që tha sot Rama dëshmoi pazarin ndërmjet kriminelëve që ndajnë pazaret mes tyre dhe kërkojnë ta kthejnë drejtësinë në një zgjatim të kriminelëve dhe jo në shërbim të qytetarëve. “Kryeministri shqiptar iu hoqi çdo mëdyshje shqiptarëve për lidhjen me krimin dhe trafikantët. Po, ai është një prej tyre, mbështetësi, inspiruesi dhe përdoruesi i tyre. Drejtësia po përballet sot me një pengesë të madhe që nuk janë më vetëm kriminelët, por edhe kryesuesi i falangës politike që i mbështet dhe sakrifikohet për ta. Kryetari i Kuvendit dhe mazhoranca e kthyen Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve në një gjykatë politike. Ata dhunuan Kushtetutën dhe nga garante e kthyen në mbështetëse të krimit. Dhunuan edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, i cili shprehet qartë në raportin e 2014 se: “Ky komision nuk duhet në asnjë rrethanë të japë qëndrimin e tij për pafajësi ose jo të deputetit përkatës”. Komisioni i Këshillit të Mandateve, e patë dhe vetë, që u kthye në një gjykatë politike dhe teatrale”, u shpreh Kryemadhi. Ajo tha se të gjithë shqiptarët prisnin më të paktin veprim që kryeministri i tyre duhet të bënte: Të lejonte drejtësinë të zbardhte të vërtetat. “E prisnin të gjithë shqiptarët që janë burgosur për kalimin e semaforit të kuq, e prisnin me qindra dhe mijëra shqiptarë që janë burgosur për mos pagimin e energjisë elektrike, për shkak të varfërisë së tyre. E prisnin me qindra dhe mijëra shqiptarë që janë ndaluar dhe janë gjobitur për mosvendosjen e një rripi sigurimi apo për një parkim të gabuar. Ata panë sot kryeministrin që shndërrohej në një mburojë të krimit. Shqiptarët sot panë një kryeministër që shantazhon hapur Drejtësinë dhe e kërcënon atë, duke dashur t’i lërë shqiptarët në duart e trafikantëve që po helmojnë brezin e ri dhe po dëmtojnë shpresën dhe të ardhmen e shqiptarëve. Edi Rama po lë shqiptarët në duart e kriminelëve gjobëvënës, të vrasësve me pagesë dhe profesionist dhe po u hap trafikantëve autostrada të reja të trafikut të drogës, të armëve e shumë trafiqeve të tjera të rrezikshme. Fjala e tij sot ishte dëshmi publike jo e qëndrimit të një kryeministri, por e një pazari mes kriminelëve që ndajnë rolet dhe hesapet midis tyre. Fjala e tij ishte sot një dëshmi publike e strategjisë së tij për ta kthyer drejtësinë shqiptare në një zgjatim të kriminelëve dhe jo në një institucion në luftën ballore kundër krimit, korrupsionit dhe në një drejtësi që të jetë në shërbim të qytetarëve. Kryeministri edhe para pak minutash i përfshirë nga frika dhe paniku kërkoi t’i mbyllte gojën Prokurorisë, pasi ai do që të jetë edhe kryeprokuror, edhe kryegjykatës edhe kreu i organizatave kriminale. I bëj thirrje Prokurorisë të mos intimidohet, por t’ju shkojë të vërtetave deri në fund, sepse kjo është ajo që presin të gjithë shqiptarët, të cilët nuk duan të qeverisen nga krimi dhe kriminelët”, tha Kryemadhit.