Me krimin në partner, qeveria terror bizneseve dhe qytetarëve

Deputeti demokrat, Luçiano Boçi ka reaguar dje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Elbasan, ku bandat kriminale grabitën një biznesmen dhe e dhunuan atë. Përmes një deklarate për mediat, Boçi tha se kjo është lufta e vërtetë që bën sot shteti me krimin si partner në krah. “Krimi në Elbasan nuk i vihet kapak floriri duke drejtuar gishtin tek Prokuroria apo gjykata, por duke i mbyllur portat atij. As duke nxjerrë në rrugë të madhe ato që përballen përditë dhe rrezikojnë. Ngjarja e mëngjesit të sotëm (djeshëm), grabitja e biznesmenit Ylli Salla, dëshmon se krimi në Elbasan është trimëruar e është bërë më i fortë se kurrë dhe jo rastësisht. Mbrojtja publike që i bën Kryeministri simboleve të krimit të organizuar dhe sulmet publike të tij ndaj drejtësisë, e frymëzojnë. Goditet personi që pak kohë më parë u godit fizikisht nga miqtë e Edi Ramës, të cilët administrojnë fabrikën e peshkut, ndotësen më të madhe të Labinot Fushës e është në proces gjyqësor me ta. Po policia ‘e re’?!!! Rri e vështron dhe i shkel syrin krimit se Ylli është ‘i skeduar’. I skeduar si i djathtë! Kjo është lufta e vërtetë që bën ky shtet e kjo qeverisje. Luftë ndaj biznesit e njerëzve të thjeshtë. Ndërsa krimin e ka partner në ‘beteja'”, u shpreh deputeti demokrat.