Kreu i Komisionit të Venecias: Shqipëria e zhytur në krim dhe korrupsion

Korrupsioni, krimi dhe droga në Shqipëri janë shndërruar në një shqetësim real për ndërkombëtarët. Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio ngriti alarmin për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, duke e cilësuar atë në nivele rekord. Në një intervistë për mediat shqiptare, ai thekson se ky fenomen është i përhapur dhe është jetike lufta ndaj tij. “Korrupsioni është i shëmtuar në të gjitha aspektet, në gjyqësor, politikë, në administratën publike, që për fat të keq në Shqipëri ekziston. Korrupsioni për fat të keq ekziston në të gjitha vendet. Asnjë vend nuk e ka eliminuar tërësisht. Por në disa vende, si në Shqipëri, por ka edhe të tjerë në Europë, korrupsioni ka kapur nivele të mëdha në të gjitha sektorët, jo vetëm në gjyqësor. Pra, duhet luftuar kundër korrupsionit në të gjitha nivelet”, shprehet kreu i Komisionit të Venecias. Korrupsioni, sipas Gianni Buquicchios, mund të rrënohet përmes reformës në sistemin e drejtësisë shqiptare. Si njeri i angazhuar personalisht në këtë reformë, ai thekson nevojën e ecjes me hapa të shpejtë të zbatimit të saj, por në një kohë kur duket se Rama po çon drejt dështimit tërësisht reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, kreu i Komisionit të Venecias u shpreh se e vetmja shpresë për luftën ndaj korrupsionit është pikërisht reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut. “Pra, u bë kjo reformë, një reformë shumë komplekse, ndoshta pak më shumë se komplekse, por siç duket ishte e nevojshme ky kompleksitet, duke parë situatën shqiptare, ku për fat jo të mirë mes opozitës dhe mazhorancës nuk ekziston besimi që duhet të jetë dhe për pasojë u arrit në një përfundim, Kushtetuta u ndryshua. Tani ligjet e reformës kushtetuese duhen vënë në zbatim. Procesi i Vettingut nuk ka nisur ende, por është e rëndësishme të ecet me shpejtësi. Populli shqiptar nuk mund të presë më për të pasur gjykatës të pavarur dhe të paanshëm. Është thelbësore për shoqërinë shqiptare, për demokracinë në Shqipëri dhe për zhvillimin e ekonomisë”. Përfitimet e shoqërisë shqiptare nga reforma në drejtësi janë të shumta, por Buquicchio nënvizon në mënyrë të veçantë zhvillimin ekonomik përmes investimeve të huaja në vend. “Nëse nuk keni gjykatës të paanshëm, nuk do të keni investime të huaja, pasi një sipërmarrës nuk vjen këtu për të shpenzuar paratë e tij për të zhvilluar ekonominë shqiptare, se në rast konflikti nuk do të ketë një vendim të paanshëm nga ana e drejtësisë. Kjo për ekonominë, por edhe për qytetarët e thjeshtë, është e rëndësishme që gjykatësit të jenë të paanshëm, jo të korruptuar dhe të japin vendimet ashtu siç duhet”, u shpreh Buquicchio. Komisioni i Venecias ka bashkëpunuar me qeverinë shqiptare që në hapat e para të tranzicionit politik në vendin tonë, përmes asistencës në hartimin e ligjeve themelore. Angazhimi kryesor ka qenë kur përmes opinionit të tij, Komisioni i dha dritën jeshile ligjshmërisë së ligjit të vettingut, jetik për pastrimin e drejtësisë shqiptare nga korrupsioni.