
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti në një dalje publike është shprehur sot ndaj situatës së trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. I ftuar në kongresin vjetor të Organizatës Kombëtare të Gjyqtarëve italianë, Franko Roberti tha se “drogat e lehta kanë pushtuar vendin, duke shkaktuar viktima siç ndodhi në San Marco in Lamis, në provincën e Foxhias, e rrjedhë e trafikut të drogave të lehta nga Shqipëria”.
“Për këtë, tha ai, i kemi kërkuar qeverisë e Parlamentit italian një zgjidhje të pashmangshme; Ose të bashkojmë të gjitha forcat për të luftuar trafikun e drogave të lehta, ose t’i japim shtetit monopolin e prodhimit e shitjes së drogave të lehta, duke njohur mungesën e vlerës morale të përdoruesit të saj. Objektivi i shtetit të së drejtës është të luftojë fuqitë kriminale e jo të bashkëjetojë me ta”.
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias ka shpjeguar se, “impenjmi i forcave të rendit ka reduktuar trafikun e sasisë së drogave të rënda në vend, ndërsa trafiku i drogave të lehta është shtuar në mënyrë të dukshme me gjithë impenjimin e të gjithëve”. “Legalizimi i drogave të lehta do të ishte një goditje e rëndë e klaneve kriminale”, tha ai. “Shteti duhet të prodhojë e shesë droga të lehta të cilësisë më të mirë e me çmime më konkuruese se ato të trafikuara nga klanet kriminale”.