Italia: Habilajt trafikuan 30 tonë drogë, xhiruan 300 milionë euro

Grupi kriminal i drejtuar dhe i organizuar nga vëllezërit Habilaj kanë trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane rreth 30 tonë kanabis sativa dhe kanë xhiruar në treg 300 milionë euro në 4 vjet. Në këtë konkluzion kanë dalë hetuesit italianë, ku ky aktivitet kriminal ishte kryer në harkun kohor 2013-2017. Gjatë bisedave të përgjuara dhe të bëra publike tashmë nga Gjykata e Katanias, anëtarë të këtij grupi kriminal shqetësohen për të siguruar mjete të shpejta lundruese me tre motorë, të cilët konsiderohen edhe si gomone oqeanike.
Habilajt kanë arritur që të trafikojnë tonelatat e drogës drejt Italisë duke bashkëpunuar me ish-ministrin e Brendshëem, Saimir Tahiri, të cilin e kanë kushëri. Në dosjen e Prokurorisë italiane rezulton se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është filmuar në prani të pjesëtarëve të grupit Habilaj. Nga vëzhgimi ka rezultuar se, Tahiri në vitin 2014 ka udhëtuar 4 herë me Habilajt jashtë vendit, pikërisht me makinën “Audi” AA 003 GB, makinë që tha se, në vitin 2013 ua shiti kushërinjve Habilaj. Gjithashtu Tahiri shfaqet në prani të Habilajve në zonën e Vlorës në vitin 2016. Të dyja këto dokumente i janë vënë në dispozicion Prokurorisë për Krimeve të Rënda nga autoritetet italiane.
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezulutuar se vëllezërit Habilaj trafikonin drogë drejt Greqisë me makinën e Tahirit dhe më pas, bashkë me ta në makinë udhëtonte edhe vetë ministri drejt Shqipërisë. Kjo skemë përdorej nga Habilajt për ta patur të lehtë të kalonin në pikat doganore me makinën e ministrit, pasi ishte makinë diplomatike dhe duke e parë se në të udhëtonte edhe Tahiri, nuk mund të kontrollohej.

Dy dëshmitarë kundër Tahirit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dy dëshmitarë që dëshmojnë për lidhjet e ish-ministrit Tahiri me vëllezërit Habilaj në trafikun e drogës drejt Italisë. Dëshmitari i parë është një i penduar italin, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë italiane për trafikun e drogës nga Shqipëria. Ai quhet Sebastiano Sardo dhe konsiderohej në Itali si një nga njerëzit më të fuqishëm në trafikun e drogës me shumicë. Sardo ka pranuar të flasë edhe për lidhjet e Habilajt me ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë.
Një tjetër dëshmitar që ka dëshmuar para organit të akuzës për lidhjet e Tahirit me Habilajt është një punonjës policie. Emri është bërë i ditur nga Prokurorët e çështjes në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, por që u dekonspirua nga deputetët socialistë për mediat pranë qeverisë.

Hetimet e Antimafias italiane

Nga ana e autoriteteve italiane të drejtësisë është arrestuar Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit Saimir Tahiri dhe disa persona të tjerë, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të trafikimit të narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal. Nga hetimet rezulton se, shtetasi Moisi Habilaj në bashkëpunim me shtetasin Nezar Seiti dhe disa persona të tjerë, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe trafikimin e saj në mënyrë të organizuar nga Shqipëria në Itali, duke vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Hetimet e këtij operacioni kanë qenë mjaft të ndërlikuara, duke kërkuar përdorimin e teknikave të ndryshme të përgjimeve si telefonike ashtu dhe ambientale. Gjatë viteve të fundit, kjo bandë kishte vënë në kontroll importimin e marijuanës dhe armëve nga Shqipëria drejt Italisë, duke zotëruar tregjet e trafikimit të drogës në provincën e Raguzës, Katanias e Sirakuzës.
Vetëm në dy aksionet e fundit të kryera në Itali e në Shqipëri, grupi që udhëhiqej nga Moisi Habilaj e Florian Habilaj dhe anëtarë të tjerë si, Nezar Seiti, Meriadian Sulaj e Armando Sulaj, iu sekuestruan në total rreth 8 tonë drogë.
Fillimisht, në zonën e Brindisit u kapën rreth 3.5 tonë kanabis dhe ishte dërguar nga banda e Habilaj me mjete lundruese gjatë muajit shtator. Por vijimi i aksionit edhe në territorin shqiptar çoi në zbulimin edhe të 4 tonëve të tjera drogë të magazinuar dhe e gatshme për transport detar, në zonën e Babicës së Vogël në qytetin e Vlorës. Por ky aksion diskret, solli edhe përplasjen ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku deri në momentin e kryerjes së operacionit, uniformat blu u mbajtën larg nga frika e dekonspirimit.
Gjithashtu, në dosjen e cila mbahet sekret nga organi qendror i akuzës se, gjatë vitit 2014-2015, grupi kriminal i Habilajve ka dërguar në Itali ngarkesa me drogë edhe në rrugë ajrore, konkretisht në zonën e Akërnisë, po në Vlorë. Për këtë aktivitet kriminal, Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me homologët e Katanias, të cilët kanë kryer përgjimet edhe në territorin shqiptar kërkojnë prangosjen e deputetit Saimir Tahiri. Emri i ish-ministrit të Brendshëm ka dalë gjatë bisedës me anëtarët e grupit si edhe i ka ndihmuar këta të fundit të jenë të paprekshëm në Qarkun e Vlorës. Aktualisht, fati i deputetit Tahiri mbetet në dorën e ligjvënësve nëse do t’ia heqin apo jo mandatin e deputetit. Prokuroria kërkon burgosjen e Tahirit, pasi ai akuzohet për “trafik të narkotikëve e kryer në grupin e strukturuar kriminal” dhe “korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë”.
Moisi Habilaj u arrestua para dhjetë ditësh në Itali, si kreu i një bande që trafikonte drogë nga Shqipëria. Në përgjimet e Antimafias italiane të bandës së drejtuar nga Moisi Habilaj përmendet edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas gjykatësve dhe prokurorëve italianë, Habilaj përmend Tahirin si kushëririn e tij, si mbështetës të veprimtarisë në shkëmbim edhe të parave për fushatë. Sipas përgjimeve të hetuesve italianë, të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës.

R.POLISI