Fundjavë “e kuqe”

Fundjava që lamë pas ofroi emocione të shumta me përplasje të nxehta në kampionatet elitare në Europë, ku nuk munguan edhe rastet ku u tejkalua lufta e fortë sportive, duke i detyruar gjyqtarët e ndeshjeve që të mos i kursenin kartonët e kuq për lojtarët problematikë. Vetëm në Serinë A dhe në Ligën e Parë Franceze janë dhënë plot 10 kartonë të kuq, nga 5 për çdo kampionat, ndërsa në Bundesligë (1), Premier League (1) dhe La Liga (0), fundjava ka qenë më e qetë. Ndëshkimit të ashpër të gjyqtarëve nuk u kanë shpëtuar edhe emra të mëdhenj, si Neymar, Bonucci apo Mandzukiç, por në asnjë rast skuadrat e tyre, PSG, Milan apo Juventus nuk kanë pësuar disfatë.
Në sfidën “e nxehtë”, Marseille – PSG, në minutën e 87-të, teksa vendasit kryesonin 2-1, Neymar nuk i përmbajti nervat, duke goditur me kokë kundërshtarin, pas një ndërhyrjeje të rëndë. Kryesori i nxjerr të verdhën e dytë, që automatikisht përkthehet e kuqe. Edhe pse në inferioritet numerik, PSG barazoi me Cavanin në shtesë.
Në Serinë A, një mbrojtës me shumë eksperiencë si Leonardo Bonucci, i blerë pikërisht për të vënë rregull në prapavijë, la në baltë Milanin. Në momentin e ekzekutimit të një goditjeje të lirë nga Genoa, ish-mbrojtësi i Juventusit goditi me bërryl kundërshtarin. Për kryesorin, ky veprim ishte i ndëshkueshëm me karton të kuq. Milani, me 10 lojtarë për thuasje 75 minuta, nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0.
Tjetër rast për t’u veçuar i përket takimit Udinese–Juventus 2-6. Në minutën e 26-të, kur rezultati ishte 1-2, Mario Mandzukiç pati një përplasje me mbrojtësin kundërshtar Adnan. Gjyqtari Doveri i ndëshkoi të dy me karton të verdhë, por reagimi ndoshta i tepruar i kroatit e detyroi kryesorin t’i tregonte të dytin të verdhë brenda pak sekondave.