Frika që ka Rama është arsyeja që Tahiri ka ende imunitet

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaron se Saimir Tahirit nuk iu hoq imuniteti me urdhër të dhënë nga Edi Rama. Sipas Alibeajt, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, nëse Tahiri do të dënohej, do të merrte me vete edhe Edi Ramën, falë provave të rënda që ka për të. Sipas PD-së, Rama i dha kohë Tahirit të zhdukte provat në shtëpi dhe ministri. “Provat e paraqitura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për arrestimin e Tahirit janë jo vetëm bindëse, por tronditëse. PS në Komisionin e Mandateve me urdhër të Edi Ramës nuk e la drejtësinë të funksionojë. I dha kohë Tahirit të zhdukë çdo provë, në shtëpi dhe ministri. Pakti është që Tahiri t’ia hedhë pa u lagur që të shpëtojë Rama dhe të tijtë. Tahiri në rënien e tij do të merrte me vete edhe Edi Ramën, për shkak të dëshmive dhe fakteve të rënda që ka për të. Edhe pse drejtësia italiane solli mijëra faqe, ai u mor sërish në mbrojtje nga Edi Rama. Historia është e thjeshtë, Parlamenti gjykon vetëm legjitimitetin dhe ligjshmërinë e kërkesës, nuk pranon dhe gjykon prova, sepse nuk është gjykatës. Në asnjë ligj nuk është thënë që duhet të paraqiten prova. Parlamenti gjykon politikisht dhe jo si gjykatë. E vërteta e Saimir Tahirit është se në dijeninë e plotë të tij me bekimin e Edi Ramës ishte kapiteni i narkoshtetit. Ai u bë ministër i Brendshëm nga Rama si garanci për kriminelët. Rama ka dy standarde për drejtësinë, një për Tahirin dhe një për qytetarët e thjeshtë. Rama nuk e lëshon Tahirin se janë bashkëpërfitues. Rama ka rënë, është në fuqi vetëm kupola mafioze. Shqiptarët nuk kanë çfarë të presin më për të marrë në dorë fatet e tyre”.