Ditë barazimesh në Gjermani

Dy barazime në 2 ndeshjet e para të së dielës në Bundesliga. Në javën e 9-t të kampionatit gjerman Koln dhe Werder Bremen barazuan 0-0 mes tyre, duke u konfirmuar si dy skuadrat më të dobëta të këtij fillimi sezoni, pasi nuk kanë provuar ende shijen e fitores dhe pozicionohen në 2 vendet e fundit.
Pa Amir Abrashin të dëmtuar, Freiburgu barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Herthës së Berlinit. Të dy golat u realizuan nga pika e bardhë e penalltisë. Fillimisht shënoi Haberer për vendasit, ndërsa më pas barazoi për kryqytetasit Salomon Kalou, i cili përpara se të shënonte nga pika e bardhë kishte shpërdoruar një tjetër 11-metërsh. Ishte dita e barazimeve në Bundesligë, pasi përfundoi me shifrat 1-1 edhe sfida që mbylli javën e 9-të mes Wolfsburgut dhe Hoffenheim.