Çështja Tahiri, Bylykbashi: Fronti opozitar do të përshkallëzojë

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se Shqipëria është një shtet i krimbur dhe se po humbet partnerët ndërkombëtarë. Ai gjithashtu është shprehur se për çështjen “Tahiri” fronti opozitar do të përshkallëzojë aktivitetet e saj dhe se nuk do ta lërë që kjo çështje të mbyllet lehtë. “Ata tashmë kanë marrë kohën e mjaftueshme për të fshehur provat. Siç e tha dhe vetë deputeti i mazhorancës z. Manja, është e kotë të jepet leja për të kontrolluar banesën e Tahirit, sepse nuk ka më prova, tregoi qartë se ata i kanë fshirë ato. Kërcënimi i Tahirit ndaj Ramës, se do të të marr me vete, e trembi Kryeministrin. Kjo është e vetmja arsye pse Rama nuk e lëshoi Tahirin. Në fillim doli Tahiri për të sulmuar Prokurorinë, më pas Rama dhe më vonë e gjithë Partia Socialiste. Nëse nuk voton PS-ja për heqjen e imunitetit atëherë ky është një precedent i rëndë për ta. Provat nuk vlerësohen në Parlament, por në gjykatë. Mazhoranca e Edi Ramës mori përsipër që të bëjë gjyqtarin dhe kjo vetëm për të mbrojtur Saimirin dhe më pas dhe veten e tyre. Veprimi opozitar do të shkojë drejt përshkallëzimit, nuk mund që kjo çështje të lihet të kalojë kaq lehtë”. “Ligji është i barabartë për të gjithë. Por për Ramën dhe ministrat e tij, bashkëpunëtorë në krim, është edhe më i barabartë se për të tjerët. Komisar Zagani denoncoi me fakte trafikun e drogës së Habilajve edhe me makinën e Saimir Tahirit, ?përfshirjen e ministrit dhe zyrtarëve të policisë. Saimir Tahiri dhe Edi Rama e denigruan. Çfarë ndodhi? Zagani u arrestua për shpërdorim detyre sepse ua kishte dhënë informacionin agjencive ligjzbatuese të Italisë dhe u detyrua të kërkojë azil politik. Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm, rezulton në përgjimet e italianëve si i lidhur me trafikun e Habilajve dhe se ka marrë miliona euro dhe dhurata nga trafikantët?. Prokuroria kërkon arrestim me qëllim që Tahiri të mos prishë provat. Saimir Tahiri kërcënoi Kryeministrin. Çfarë ndodhi: Mazhoranca socialiste vendosi që të përdorë imunitetin parlamentar për të mbrojtur Saimir Tahirin nga arrestimi e ta mbajë të lirë. Shqiptarë, ligji në duart e Edi Ramës është i pabarabartë. Kjo qeveri duhet rrëzuar!?”, është shprehur ndërkohë Bylykbashi.