Basha: Vetingu ka marrë fund me mbrojtjen e Tahirit e krimit nga Rama

Degradimi i qeverisjes në duart e krimit dhe drogës dhe kriza e thellë e prodhuar për këtë shkak ka bërë që opozita të nisë menjëherë konsultimet me partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar me urgjencë zgjidhjet për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje. Dje, kreu i PD, Lulzim Basha përmes një deklarate për mediat pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat bëri të ditur se, Edi Rama sot bashkë me qeverinë ka rënë.
“Mazhoranca, moralisht është e vdekur. Edi Rama ‘de facto’ ka marrë fund si kryeministër. Ne si opozitë jemi dhe do të jemi në konsultim të vazhdueshëm me qytetarët dhe me faktorin ndërkombëtar për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje, kësaj krize të thellë të vendit”, tha Basha.
Kreu i PD denoncoi mbrojtjen skandaloze të Ramës ndaj Tahirit si dëshminë e lidhjeve të forta të të dyve me bandat e organizuara të trafikut të drogës. “Drejtësia shqiptare paraqiti një kërkesë të vetme pas 4 vitesh hetime të Antimafies italiane, paraqiti një kërkesë të vetme. Edi Rama e rrëzoi këtë kërkesë, gjithçka tjetër është propagandë, gjithçka tjetër është mashtrim për t’i hedhur hi syve shqiptarëve. Fakti është që Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të mbrojtur Saimir Tahirin. Parlamenti nuk ka të drejtë të rrëzojë një kërkesë të organeve të drejtësisë të bërë konform rregullave, as nuk ka të drejtë të kthehet në gjykatë dhe të gjykojë provat, kjo i takon gjykatës”, tha Basha.
Basha tha se Rama po mbron Saimir Tahirin sepse është peng i lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit, i trafiqeve të drogës dhe sepse ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë, hetim që do të zbulojë edhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare. “Edi Rama po mbron Saimir Tahirin sepse është peng i lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit, i trafiqeve të drogës dhe sepse ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë, hetim që do të zbulojë edhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare, të krimit të organizuar. Ndaj po bën gjithçka për ta penguar këtë hetim. Drejtësia është e nëpërkëmbur, është e kërcënuar. Vetingu është i marrë fund me këtë qëndrim të Edi Ramës që po e përdor për të kërcënuar prokurorët vetëm pse guxojnë të hetojnë Saimir Tahirin dhe vendi është në një krizë totale kushtetuese, politike dhe morale”, tha ai.
I pyetur nëse do të vijojë apo jo bojkoti i komisioneve parlamentare nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike, Basha tha: “Sot ka vetëm një komision që është një dëgjesë për çështjen e kancerit. Kështu që në këtë çështje humanitare ne do të jemi të pranishëm në këtë komision. Natyrisht, beteja është jo vetëm kundër kancerit, por kundër kancerit më të madh të këtij vendi që është krimi i organizuar me lidhje politike”.