Barazoi me Luganon, Sioni largon Tramexanin

Paolo Tramezzani nuk do të jetë më trajner i Sionit. Ish-zëvendës trajneri i Kombëtares shqiptare u shkarkua nga detyra pas barazimit 2-2 përballë Luganos, në javën e 12-të të Superligës zvicerane.
“Klubi largon trajnerin nga drejtimi i skuadrës”, lexohej në deklaratën për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Sionit. Aventura e Tramezzanit me skuadrën zgjati vetëm 16 ndeshje, duke përfshirë edhe dy përballje në Europa League dhe dy në Kupën e Zvicrës, aktivitete nga të cilat bardhezinjtë u eliminuan përpara kohe.
Fatal për ish-numrin 2 të stolit kuqezi ishte barazimi në shtëpi me ish-skuadrën e tij Luganon e vendit të fundit në renditje, me miqtë që kaluan në avantazh me Carlinhos në minutat e para.
Sioni barazoi menjëherë me Ucan në harkun e pak sekondave, ndërsa me kundërshtarët në inferioritet numerik prej fundit të pjesës së parë, vendasit shënuan golin e avantazhit me Cunha në të 71-ën.
Por, Lugano barazoi me Marianin 4 minuta përpara fundit, ndërsa Sioni mbetet në vendin e shtatë në renditje, me vetëm 13 pikë të grumbulluara në 12 javë.