Ushtarë të mafias rrethojnë Parlamentin në mbrojtje të Tahirit

Dhjetëra ushtarë të mafias kishin rrethuar dje Kryesinë e Kuvendit për t’i dalë në mbrojtje ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit rreth orës 10:40 është shfaqur para Kryesisë së Kuvendit, ndërsa mbështetësit e tij, trafikantë droge dhe kriminelë që kanë patur mbrojtjen e Tahirit ulërinin duke kërkuar mos arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Ushtarët e mafias para Kryesisë së Kuvendit brohorisnin në mbrojtje të Tahirit, duke iu drejtuar: “Mos ki frikë, o trim”!
Mes ushtarëve të mafias kishte edhe socialistë që mbronin Kryetarin e degës së PS Tiranë, Saimir Tahiri i akuzuar për trafik droge dhe për korrupsion pasiv. Tahiri akuzohet se ka bashkëpunuar, ka mbrojtur dhe ka marrë para nga banda e Habilajve, njëkohësisht kushërinj të tij, tashmë të arrestuar në Itali për trafik droge.
Pasi ka dalë nga Komisioni i Hetimit të imunitetit ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është pritur sërish nga dhjetëra simpatizantë. Menjëherë, pasi Tahiri doli nga Kryesia e Kuvendit, një e moshuar shkoi dhe me entuziazëm duke përqafuar Tahirin, ndërsa nuk i ka kursyer atij fjalë të ndjera; ‘Të keqen nëna jote, o flori’.