A do të ekstradohet Tahiri?

Menjëherë sa të kryhet arrestimi i Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, mund të ekstradohet për në Itali. Të dhënat e një kërkese të tillë të palës italiane thuajse po shfaqen qartë. Dje, ambasadori i Republikës italiane në Tiranë, Alberto Cutillo, deklaroi publikisht se Italia është akoma e invaduar nga sasi të mëdha lëndësh narkotike nga Shqipëria. Deklarata u bë në valën e verimeve parlamentare për arrestimin e ish-ministrit, tani i vënë nën hetim si bashkëpunëtor në bandat kriminale që trafikojnë drogë nga Shqipëria në Itali.
Zgjedhja e këtij çasti për të deklaruar kërcënimin nga droga shqiptare, dëshmon se përfaqësuesi diplomatik i Italisë ka indicie nga shteti i vet se krerët e bandave kriminale të Shqipërisë duhet të gjykohen në duar të drejtësisë italiane.
Edhe fakti që informacioni dhe provat për arrestimin e Tahirit erdhën nga zbulimet italiane, dëshmon botërisht se institucioni i të drejtës në Shqipëri nuk është në gjendje të gjykojë këtë vepër kriminale që ka lidhje me kupolën e shtetit. Edhe pse Drejtësia këtu po hyn në një proces reformimi (për forza) përsëri është nën thundrën e politikës. Një ‘bandit’ droge që ndodhet në kupolën e shtetit nuk mund ta gjykojë drejtësia e dobët e Shqipërisë.
Informacionet se Italia ka gati dosjen prej më shumë se 400 faqe mbi veprimtarinë kriminale të ministrit Tahiri, i kishte në dorë vetë Kryeministri Rama. Kjo e shtyu që papritur të vizitojë kryeministrin italian Paolo Gentiloni para dhjetë ditësh. Me siguri, qëllimi i vizitës-siç edhe po analizohet-ka qenë që ‘të mbyllë grykën’ e akuzës dhe të provave që në Itali. Këtë akt nuk mund ta realizonte përmes kryeministrit italian, i cili është edhe ‘sakat’ politikisht, pasi ka qeveri, por nuk ka Parlament.
Ka të dhëna se zoti Rama ka tentuar të angazhojë edhe zonjën Mogherini të BE, si italiane që është.
Por sido qoftë, me sa po del, kryeministri Rama nuk erdhi duarbosh nga Italia. Atje ai ka marrë njëlloj garancie për ‘mos- ekstradimin’ e ministrit të tij, Tahiri, për në gjykatat italiane.
Sidoqoftë, minuta e fundit po vjen.
Menjëherë pas arrestimit atij i kërkohet ekstradimi nga Gjykata italiane ku do të gjykohen, për të njëjtën vepër edhe anëtarët e tjerë të bandës dhe kushërinj të Tahirit. Vepra penale është e përbashkët, edhe gjykimi do të kryhet i përbashkët.
Sipas informacioneve nga media dhe nga ish-kryeministri Berisha, sot në mëngjes është nisur me urgjencë për në Itali, Engjëll Agasi-sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri. Zoti Agasi njihet si një negociator i aftë në punët ‘e ulëta’ të qeverisë. Misioni i tij në Itali, me siguri ka të bëjë me përpjekjet që të ndalohet ekstradimi i Tahirit për t’u bashkuar me bandën shqiptare atje.
Ekstradimi i ministrit në Itali i kushton shumë qeverisë shqiptare; sepse ministri di shumë afera, shumë krime dhe intriga brenda qeverisë së një shteti anëtar i NATO si Shqipëria.

Veritas.com.al