Skënderbe dinjitoz

Është mbyllur në barazim pa gola sfida e nxehtë mes Skënderbeut dhe Partizan Beograd, e vlefshme për takimin e tretë të Grupit B në UEFA Europa League. Një ndeshje që ka dëshmuar formën optimale të ekipit korçar, i cili ndonëse nuk mundi dot të gjejë rrugën drejt rrjetës, ka ditur t’i imponohet ekipit serb. Në përfundim të ndeshjes së tretë të Grupit B, skuadra e Skënderbeut vijon të renditet në fund të klasifikimit, ndonëse në kuotë të barabartë me Partizan Beograd, 2 pikë, 1 pikë më pak se Young Boys në vend të dytë me 3 pikë, që u ndal në barazim në Ukrainë, 2-2 përballë Dynamo Kyiv.
Edhe pse me raste të limituara, në një përballje të zhvilluar masivisht në mesfushë, skuadra bardhekuq ka qenë superiore në të gjitha aspektet ndaj Partizan Beograd, duke shpërdoruar të paktën dy raste flagrante për gol. Nga ana tjetër, serbët kanë dështuar shumicën e aksioneve të tyre që në mesfushë, me një mori topash të gabuar dhe tentativash të ndalura nga korçarët. Ishin pikërisht korçarët që kanë dhënë sinjalin e parë, kur në të 24 James ka shansin më të mirë për të kaluar në avantazh Skënderbeun, pasi protagonist në një kundrasulm të shpejtë, nuk ka mundur dot të finalizojë si duhet dhe as të asistojë në zonë.
Edhe në pjesën e dytë skuadra e Skënderbeut është imponuar më shumë ndaj lojës së ekipit serb, me James sërish protagonist në të 52’, në një aksion të shpejtë me slalom nga e majta, shërben bukur për Sowe në zonë, por ky i fundit në kohë vonesë, ndalet në kohë nga mbrojtja e Partizan Beograd. Në të 62’ Miletic ka të gjitha shanset të shënojë, teksa ndodhet vetëm pak metra larg portës së korçarëve dhe shërbehet nga e djathta, por izolohet menjëherë nga mbrojtësit e Skënderbeut që neutralizojnë atë rrezik në zonën bardhekuq. Korçarët i afrohen golit në të 78’ kur Sowe fantastik me një asist spektakolar për James që mbërrin në kohë vonesë te topi, i cili ndalet nga portieri serb. Minutat e fundit flasin për serbët. Në të 89’ Shehi ndal Soumah në limite, në një duel ballë për ballë duke shpëtuar të paprekur portën e korçarëve. Në të 91’ serbët i afrohen sërish golit në të 91’ fillimisht Soumah që gjuan, por largon Shehi, ndërsa më pas është shtylla ajo që ndal Tosiç të Partizan Beograd.
Orges Shehi ishte një nga protagonistët e Beogradit, në atë tetor të 2015-ës dhe sot iu desh të përballet sërish me serbët. Kapiteni i korçarëve vlerësoi shumë paraqitjen e ekipit dhe rezultatin e arritur ndaj Partizanit të Beogradit. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe i druheshim edhe tensionit që mund të shkaktonte kjo sfidë. Gjithsesi, në fund jemi të kënaqur me mënyrën e lojës dhe me rezultatin e arritur, sepse përballë kishim një kundërshtar mjaft të fortë”, tha Shehi.
Durrsaku i Skënderbeut tha se skuadra do t’i marrë ndeshjet me radhë dhe do të tentojë kualifikimin derisa të ekzistojnë mundësitë për ta arritur atë. “Kemi një ekip që mund të përballojë këdo. Kemi arritur deri këtu duke eliminuar kundërshtarë mjaft të fortë dhe me emër në arenën europiane dhe besoj se jemi të aftë të vijojmë më tej në këtë kompeticion. Do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe shpresojmë t’ia dalim, të mbërrijmë të dytët”, tha Shehi.