Sërish drogë nga Shqipëria në Itali, sekuestrohen 1.5 ton në Bari

1.5 ton drogë nga Shqipëria u sekuestrua nga Guardia di Finanza pranë Portit të Barit mëngjesin e djeshëm. Mjeti lundrues 10 metër i gjatë dhe me dy motorë të fuqishëm u pikas nga policia italiane teksa po i afrohej brigjeve. Lënda narkotike ishte paketuar në 64 thasë të madhësive të ndryshme me peshë totale 1 ton e 500 kg. Në prangat e policisë kanë rënë dy shqiptarë, të dy të moshës 26-vjeçare. Vlera e drogës në treg arrin deri në 15 milionë euro.
Mediat italiane raportojnë se që nga muaji janar i këtij viti janë konfiskuar më shumë se 32 ton marihuanë dhe janë arrestuar 47 kontrabandistë si dhe 24 skafe e gomone që përdoreshin nga bandat kriminale për trafikun e drogës. Ndërsa gjatë gjithë vitit 2016 u sekuestruan rreth 22 ton, sasi kjo e kapur e gjitha në rajonin e Puljas.
Sipas njoftimit të Guardia Di Finanza të Barit operacioni është zhvilluar, kur kanë pikasur një mjet lundrues që po ecte me shpejtësi. Policia është vënë në ndjekje të skafit dhe në pranga u vunë dy skafisët shqiptarë V.L 31 vjeç dhe T.N 26 vjeç, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike.
Marijuana ishte e ndarë në 64 pako me peshë totale 1505.30 kg, e cila nëse do të hidhej në tregun e pakicës do të kapte vlerën e 15 milionë eurove. Ndërkohë në Ferara u sekuestruan rreth 2 tonë marijuana në bordin e dy furgonave në afërsi të zonës bregdetare Lido di Spina në provincën e Ferraras. Gjatë operacionit u arrestua dhe korrieri i drogës shqiptari R.R 19 vjeç nga Vlora.
Në bordin e fugonave policia italiane sekuestroi rreth 2041 kg marijuanë, 10 kg hashash të konfeksionuara në 90 thasë të mëdhenj. Vlera e shitjes do t’i sillte trafikantëve një përfitim që do të kapërcente 20 milionë euro. Dy furgonat rezultojë të marrë me qira në Itali.
Sipas Guardia Di Finanza që nga fillimi 2017 janë sekuestruar më shmë se 32 ton marijuanë e transportuar nga deti, janë arrestuar 47 kontrabandistë dhe janë sekuestruar 24 mjete lundruese.
Nga fillimi i këtij viti, sekuestrimet e bëra në plazhet e Brindisit dhe të tjera direkt në det, përballë brigjeve brindizine dhe në veri të Lecces, kanë bllokuar tre tonë e gjysmë drogë, me vlerë rreth 35 milionë euro. Në një rast është gjetur edhe një kallashnikov e 119 fishekë.
Sipas dinamikës së evidentuar nga hetuesit puljezë, ish-kontrabandistëve puljezë u ishte caktuar detyra e drejtimit të varkave të vogla e të shpejta që përshkojnë Adriatikun dhe detyra vëzhgimi. Italianët duhej edhe të ruanin drogën, duke e fshehur në gropa pranë plazheve të zbarkimit, për t’ua dorëzuar më pas shqiptarëve që kryenin funksionin e korrierit dhe të shpërndarësve. Sekuestrimet janë shoqëruar shpesh edhe me pranga. Në fund të korrikut, në Lecce ishin arrestuar 14 persona.
Organizatat i drejtohen veriut? Në Silvi, provinca e Teramo, sërish në korrik, stuhia nxori në plazh një ngarkesë marijuane të ngjashme me atë të sekuestruar në Ferrara. Dhjetëra pako marijuane u shtynë nga rrymat në bregun e Porto Recanati, pranë Perugias.