Prokurorët Antimafie kundër ushtarëve të krimit

Në zotërim të plotë të përmbajtjes, e prerë në komunikim, me intonacionin e duhur, u shfaq në Këshillin e Mandateve, Prokurorja e Krimeve të Rënda Elizabeta Imeraj. Jo vetëm që nuk u intimidua nga politikanët, të cilët zotërojnë fare mirë aftësi të së folurës në publik, por me delikatesë u tregoi edhe vendin. Me flokët e kapura, këmishë e xhaketë të errët, Imeraj, nënë e 2 fëmijëve u përgjigj shpeshherë, duke mbështetur kreun e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe kolegun Gentian Osmani.
Së pari, iu kundëpërgjigj ish-pedagoges së saj, socialistes Vasilika Hysi, e cila i kujtoi doktoraturën, por mori mbrapsht një përgjigje që mbase edhe nuk e priste.
Më pas, pa drojë, shkurt dhe me ritëm, i tha “subjektit nën hetim”, siç i referohej Tahirit, se ndryshe nga ai prokurorët nuk veprojnë me deklarata.
Elizabeta Imeraj është prokurorja që arriti të dënojë imamët e vetëshpallur, ku kërkoi 126 vite burg për ta. Ajo është marrë edhe me çështjen e Emiljano Shullazit, dy nga çështjet më të bujshme në Shqipëri.
Detajet e debatit të saj me Hysin dhe më pas Tahirin, për të cilin i kërkoi Kuvendit së bashku me kolegët e saj autorizimin për arrestim.

DEBATI ME HYSIN:

Hysi: E kam me prokuroren që ka mbrojtur doktoraturën, a do pranoni ju që në bazë të thënieve në gazetë, ende pa e lexuar materialin, të krijoni bindjen e mjaftueshme?
Imeraj: Nuk po e marr pyetjen si intimiduese se në fakt më keni dhënë mësim. Nuk kemi ardhur këtu me dy mendje, as të dyzuar. Prokuroria ngre akuzë, është Gjykata që del me vendim përfundimtar. Kjo nuk lidhet me atë çfarë unë mendoj, por me atë çfarë mendon i gjithë grupi hetimor.
Nuk është pak që të kapen 3.5 tonë lëndë narkotike në territorin italian, as pak 4 tonë në territorin tonë.
(Ka ndërhyrje nga anëtarët, zhurmë)
Ruçi: Deputet të lutem mos i ndërhy prokurores! As palës mbrojtëse. Imeraj: Lënda narkotike që është sekuestruar pa i hyrë detajeve të tjera për kanabizimin e gjithë territorit të Shqipërisë, i qëndrojmë kërkesës së bërë.

DEBATI ME TAHIRIN:

(Është nxehur situata në mbledhjen në Këshillin e Mandateve pas marrjes së fjalës nga ana e deputetit Saimir Tahiri. Ai është kapur disa herë me prokurorët, duke u përpjekur që të ndikojë te ata në aspektin psikologjik)
Tahiri: Nëqoftëse unë kam ardhur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për deklarata publike ku implikohesha unë, makina ime dhe shtetasit Habilaj, për cilat arsye ju jeni penguar të nisni hetim?!
Alibeaj: Ajo që po bën zotëri janë komente dhe deklarata. Do ta ketë kohën më pas, pa merak për këtë punë! Të krijojë emocione intimidimi për prokurorët atje…
Imeraj: Fakti që pse nuk keni hetuar atëherë dhe jo tani, ka hetuar atëherë Prokuroria dhe ka konkluduar, heton tani dhe konkludon. Është çështje veprimesh.
Tahiri: Fakti që unë kam ardhur vetë të kërkoj hetim, e hedh poshtë deklaratën tuaj?
Imeraj: Ne nuk operojmë me deklarata!
Halimi: Nuk mund t’i bëjë ai prokurores pyetje, ç’është ky muhabet, pyetje politike prokurorëve?! Kjo është detyra jonë, të dëgjojmë njërin-tjetrin, ju me sa shoh e keni marrë vendimin. Po mirë, po procedurën do ta zbatojmë?!
Ruçi: Mos jep paragjykim as për Prokurorinë as për deputetin. Deputeti ka të drejtën të sqarojë 2-3-5 gjëra. Ju lutem z.Tahiri pyetje të karakterit teknik i bëni dhe të fillojmë menjëherë shpjegimet tuaja!
Hajdarmataj: Z.kryetar për procedurë! Jam i mendimit që po gjykojmë në një terren kushtetues. Gjykimi juaj po mbron deputetin, të njëjtat standarde duhet të na krijohen edhe neve!