Prokuroria dhe policia në kërkim të Habilajve

Operacioni për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, të njohur si pjestarë të grupit të Habilajve po vijon nga Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Vlorë. Burimet thonë se, bëhet fjalë për Florian Habilajn e persona të tjerë, për të cilët ka urdhër arrestim nga Prokuroria italiane. Burimet thonë se për këtë qëllim janë thirrur për t’u marrë në pyetje njerëz që mund të kenë dijeni mbi lëvizjet, apo vendndodhjen e personave të dyshuar, për të cilët ka urdhër arreste.
Po kështu policia është duke mbledhur informacione mbi vendndodhjen e mundshme të të kërkuarve. Kjo, pasi Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se personat ndaj të cilëve ka urdhër arreste nga Prokuroria italiane ndodhen ende në Babicë, apo zona të tjera të Vlorës.
Operacioni ka tashmë si objektiv arrestimin e Florian Habilajt, vëllait të vogël të Moisi Habilajt, të i njohur në përgjimet italiane si “Loloja”. 37-vjeçari konsiderohet si një nga personat kyç në dosjen e Habilaj, dëshmia e të cilit mund të zbardhë shumë pikëpyetje. Por policia nuk ka arritur ende ta vërë në pranga, edhe pse sipas burimeve ka pasur informacion mbi zonën ku ai fshihej.
Gjatë aksionit ra në pranga një tjetër person në kërkim dhe i dyshuar si i përfshirë direkt në Dosjen Habilaj. Ai është Nazer Seiti, krahu i djathtë i Moisi Habilajt, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Katanias për trafik të lëndëve narkotike.
Po kështu më 19 tetor, u arrestua në Babicë, Armand Koçerri. Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 4 tonë kanabis. Kjo sasi lënde narkotike, e sekuestruar sipas Prokurorisë, i përket grupit të Habilajve. Operacioni nisi në Vlorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas sekuestrimit nga policia italiane në Katania të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, ndërsa u arrestuan tre shqiptarë mes të cilëve Moisi Habilaj, i cilësuar si koka e grupit.