Parodia e fundit e ministrit të Financave!

Jorida Tabaku

Mbasi kanë një muaj që sulmojnë e anatemojnë bizneset e vogla, ministri Ahmetaj gjeti kohën për të takuar më në fund një grup biznesmenësh të vegjël. Parodia e inskenuar nga zyra e Kryeministrisë ka disa javë që po përpiqet të argumentojë të pa-argumentueshmen. E nisën me protestën e oligarkëve dhe nëpunësve të shtetit e tani po vazhdojnë me biznesin e vogël, i cili jo vetëm është dakord me TVSH-në, por madje propozon edhe futjen e disa taksave.
Një tragjikomedi të tillë e kemi parë vetëm gjatë periudhave diktatoriale, në asnjë vend të botës së qytetëruar bizneset nuk janë të prirura të jenë kaq njësoj në mendime me qeverinë. Uniteti i çeliktë Parti-Shtet-Biznes po ia kalon edhe unitetit të dikurshëm Parti-Popull. Sa më shumë kalojnë ditët, aq më e dukshme bëhet farsa në të cilën na shtyn të jetojmë me përdhunë qeveria Rama.
Përtej skenarit me regji qendrore në zyrën e Kryeministrisë, më tërhoqi artikulimi i ministrit Ahmetaj, i cili paralajmëroi përjashtimin nga ligji i ri i TVSH-së disa kategori të bizneseve të vogla, zejtaria, tregtari ambulant në tregje si dhe taksisti. Logjika e këtij përjashtimi nuk e di se ku qëndron, përse një shitës në treg bashkiak është i përjashtuar nga ligji i ri i TVSH, ndërsa një tregtar që shet në një dyqan që paguan taksa dhe qira do të duhet të përfshihet? Pra, ku është logjika e këtij përjashtimi dhe përse nuk qëndron po e njëjta logjikë edhe tek bizneset e tjera? A nuk jetojnë me punën e vet edhe pjesa tjetër e biznesit të vogël? Pse duhet bizneset të jenë në mëshirën e shtetit, kur punojnë ndershmërisht? Kjo që propozojnë rrit më shumë informalitetin se aktualisht.
Ajo që vëren dhe kupton çdo shqiptar sot për sot është se, kjo bandë që na drejton nuk ka interes të krijojë një vend më të mirë. Biznesi i Vogël duhet mbrojtur jo vetëm nga kjo maskaradë, por edhe duhet çliruar nga pesha e taksave të rënda. Jo TVSH për biznesin e vogël!
Banorët në protesta, kundër HEC-it në Arrëz të Dibrës
Banorët e fshatit Fushë-Çidhën në Arrëz të Dibrës kundërshtojnë ndërtimin e një HEC-i që sipas tyre u dëmton zonën ku kanë jetuar për breza e breza me radhë. Për banorët e Dibrës, ujin që e jep Zoti nuk mund ta fusësh në tuba! Banor: Atë ujë që e jep Zoti nuk futet në tubacione. Ata thonë se ndërhyrjet për HEC-in që sipas tyre ka marrë një leje të dyshimtë po thajnë ujin që përdoret për vaditje dhe po dëmtojnë ekosistemin.
Banor: Na jepni të drejtën tonë të mbrojmë territorin tonë, të mbrojmë ligjet e shtetit tonë se janë të kundërligjshëm këto.
12 mijë vetë janë strehuar këtu me këto ujëra.
E njohur për bukuritë natyrore, në zonë ndodhen disa shpella të shpallura monumente të mbrojtura dhe me vlerë historike.
Banor: Edhe në lejen që është dhënë, nuk është thënë që uji të futet në tubacione. Është dhënë që të bëhet me kanal që ujërat të avullojnë. Të pijnë bagëtitë.
Protesta është shoqëruar me një incident, pasi një mjet i firmës që kryente punimet u fut mes turmës, duke rrezikuar jetën e banorëve. Forcat e Policisë pas negociatave bindën banorët që të lirojnë rrugën, por ata u larguan me paralajmëruan se do të rikthehen më të shumtë dhe do të përshkallëzojnë protestat. Edhe dy ditë më parë, banorët e fshatit Fushë-Çidhen të Dibrës kanë protestuar kundër ndërtimit të HEC-it.