Parlamenti po provokon popullin

Antonio Grizhda

Rasti më i rrallë, ose i vetëm në Botë: Kuvendi, organi ligjvënës i dalë nga populli, kthehet në provokues të popullit. Kjo po ndodh me Kuvendin e Shqipërisë
Që në mëngjes sot ka nisur një mbledhje e Këshillit Parlamentar të Mandateve dhe Imuniteteve mbi një kërkesë të Prokurorisë për lirimin e deputetit Tahiri nga imuniteti Parlamentar dhe arrestimin e tij. Në vend që mbledhja të zgjaste vetëm pak minuta, po merr gjithë ditën. Pjesa socialiste e Këshillit po krijon të gjitha pengesat e mundshme dhe të pamundshme për të bërë ‘nul’ kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri.
Në një veprim të paprecedent, socialistët që kryesojnë Kuvendin kudo, aplikuan metodën që deputeti i vënë nën akuzë të vërë nën breshëri pyetjesh Prokurorinë.
Me sa duket gjatë gjithë natës, që nga momenti kur deputeti Tahiri u shfaq në një emision televiziv me lot në sy dhe duke përsëritur se “po shkoj në burg”, socialistët kanë përpunuar strategjinë që të “shpëtojnë” Tahirin nga burgu. Sot në mbledhjen e këshillit, ai ishte agresiv kundër akuzave dhe organit të akuzës, në vend të një Tahiri të mbytur në lot që u pa një natë më parë.
Saimir Tahiri, gjatë periudhës që ishte ministër i Brendshëm ka instaluar në vend një regjim droge dhe krimi. Shqipëria u kthye në një vend prodhues lëndësh narkotike, dhe pastaj në një plasdarm për trafikun e lëndës narkotike drejt vendeve të Europës. Zyrtarët e Policisë italiane, gjatë gjithë kohës, në përpjekje për të mbrojtur vendin e tyre nga sulmi i drogës shqiptare, ka përgjuar bandat dhe anëtarët e tyre që kryenin aktin kriminal nga Shqipëria në Itali.
Siç del nga përgjimet, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ishte pjesë e bandave kriminale, përfitoi shuma të mëdha nga trafikimi i drogës dhe krijoi paprekshmëri për bandën ku bënte pjesë.
Ky është akti i regjistruar. Prokuroria kërkoi nga Kuvendi lejen për arrestimin e Saimir Tahirit si të akuzuar për pjesëmarrje në banda. Por, Kuvendi socialist gjatë gjithë ditës u drodh sa andej këndej, duke tentuar të prishë akuzën dhe provat e krimit.
Kuvendi nisi sfidën kundër popullit që e ka zgjedhur. Si për ironi të fatit, shefat socialistë të Kuvendit, në mënyrë pa precedent, e lanë mbledhjen e këshillit të lirë për mediat. Gjithë arroganca e anëtarëve socialiste dhe e vetë deputetit nën akuzë kundër Prokurorisë, u shfaq hapur, duke “i hedhur dorashkat” popullit.
Populli ka pritur Reformën në Drejtësi me një shpresë se këtu mund të vihet drejtësia dhe njerëzit të mos marrin rrugët e botës ose të mos vriten me njëri-tjetrin. Në qoftë se nuk arrestohet ministri Tahiri, atëherë gjithë shpresa popullor bie në lumë.
Edhe drejtësia mbytet. Edhe aleatët tanë strategjik të kombit që nga Europa dhe Amerika marrin goditje. Edhe shpresa për një jetë pa kriminelë në shtet dhe në pushtet, venitet…
Populli po sfidohet nga Kuvendi i tij.
Çfarë duhet të bëjë populli? Nëse do të kishte prijës dhe opozitë, atëherë do të ishte kudo në sheshet e Shqipërisë në protestë kundër krimit në kupolën e shtetit.