Habilajt në Greqi me “Audi”-n 003 GB, Tahiri u kthye me të nga Greqia

Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi dje në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit kërkesën e heqjes së mandatit dhe arrestimin e deputetit të PS, Saimir Tahiri. Sipas kërkesës së depozituar nga Prokuroria në Kuvend dhe vetë deklaratave të prokurorëve në mbledhjen e këtij Këshilli, ka dyshime të arsyeshme se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kryer veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Prokurorët Besim Hajdarmataj, Gentian Osmani dhe Elizabeta Imeraj nga Krimet e Rënda fillimisht kërkuan zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura, për të ruajtur sekretin hetimor. Por për Këshillin, kjo mund të vinte vetëm në një fazë të dytë, pas parashtrimit të kërkesës nga ana e organit të akuzës përpara anëtarëve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, brenda kufizimeve ligjore të sekretit hetimor.
Për sa kohë media ishte e pranishme në sallë, kërkesa e Prokurorisë u bazua mbi pretendimin e ngritur nga materiali i referuar, fillimisht nga mediat dhe më pas nga partnerët italianë, që implikojnë ministrin Tahiri në trafik droge. Prokuroria referoi gjithashtu regjistrat e TIMS të cilat, sipas tyre, tregojnë se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ka shitur makinën tek Artan Habilaj, e ka ripërdorur këtë makinë disa herë për të udhëtuar jashtë kufijve. Madje, në njërin prej rasteve, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ishte vetë Artan Habilaj, ai që udhëtoi me makinën në fjalë drejt Greqisë, për t’u kthyer me të njëjtën makinë vetë ministri i Brendshëm, Tahiri.
Sipas Prokurorisë, nga viti 2013 deri në vitin 2016, këtij institucioni nuk i janë referuar asnjëherë materiale lidhur me grupin e strukturuar kriminal të Habilajve, të cilët funksiononin prej 4 vitesh në Shqipëri. Sipas prokurorëve, nën hetim vazhdojnë të jenë ende persona të implikuar dhe si rezultat i lidhjeve të ish-ministrit, për ta ekziston mundësia e prishjes së provave dhe largimit të të dyshuarit. “Duke qenë se ai ka qenë ministër i Brendshëm dhe duke qenë se janë nën hetim edhe persona të tjerë, siç u shpreh prokurorja Elisabeta Imeraj, që mund të vazhdojnë të jenë në detyrë apo janë aktualisht në detyrë, ekziston rreziku i dëmtimit të provave, që t’i bëjë të pavlefshme të përdoren më pas”, u shpreh prokurori Besim Hajdarmataj.
Prokurori deklaroi se, kanë në dispozicion edhe një material që ka ardhur në gjuhën italiane, ku përmendet emri i Saimir Tahirit dhe disa personave të tjerë. “Kemi një material që na ka ardhur në gjuhën italiane në rrugë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Kemi përkthyer pjesën vetëm ku përmendet Tahiri, por aty ka edhe emra të tjerë që përmenden”, tha prokurori.
Deputetët socialiste anëtarë të Këshillit, i kërkuan përfaqësuesve të Prokurorisë të parashtrojnë provat mbi të cilat bazojnë kërkesën, sipas tyre të tepruar, të arrestimit të deputetit Tahiri. Prokurori Besim Hajdarmataj u shpreh se ata kanë kryer verifikime që autoritetet italiane dhe ato greke nuk i kanë, por në mënyrë specifike nuk i parashtruan ato publikisht për deputetët.
Vetë ish-ministri Tahiri, që ishte në këtë mbledhje të Këshillit i shoqëruar nga përfaqësuesi ligjor, Artan Hajdari u drejtoi disa pyetje përfaqësuesve të Prokurorisë. Por ata deklaruan se nuk janë aty për t’u përgjigjur, por për të marrë vendimin e këshillit për kërkesën e tyre.
Kreu i Këshillit Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, Gramoz Ruçi, në përfundim të pyetjeve të ish-ministrit Tahiri, lajmëroi 15 minuta pushim për vijimin e mbledhjes me dyer të mbyllura. Më pas, Ruçi shtyu për ditën e nesërme mbledhjen për heqjen e mandatit të Tahirit.

R.POLISI