E kujt ishte droga e djegur dy netë më parë, pse Ruçi po mbron Tahirin

Një sasi e madhe droge, posedues i të cilës është edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, është djegur natën e të enjtes në një kullë në Salari. Denoncimi është bërë nga një banor nga Salaria, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, kjo ishte arsyeja pse Ruçi i dha afat Tahirit, duke shtyrë vendimin e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, pasi Tahiri ka qenë në dijeni se kryeparlamentari ka qenë i përfshirë në trafik droge.
“Ja pse don Gramozi shkeli Kushtetuten dhe rregulloren në mbrojtje të Saje qorrit! Digjet në Salari kulla e madhe e “barit” e Qerem Braçit! Lexoni mesazhin e salariotit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Doktor përshëndetje. Nuk paske marrë vesh djegien e kullës së madhe të “barit” në Salari pronë e Qerem Braçit mbrëmë natën, para se të venin ca “Iveko” të Policisë? Aq bar sa krejt Vlora s’e kishte me gjithë Habilajt. T’fala shokut Gramoz, humbje e madhe për të.
Nëna e këtij trafikantit është kushërira e parë e Gramozit, personi ka qenë problematik në Komunën Frakull, ka përvetësuar disa toka të të tjerëve së bashku me kryetarin e komunës Viktor Çervanaku. Qeremi ka afera të përbashkëta me Gramozin, kanë mbjellë së bashku sipërfaqe të mëdha me kanabis në vendin e quajtur “Qafa e Kreshës” për tre vjet rresht. Me ndihmën e tij ai ka arritur drejtor i Ujësjellësit të Tiranës, emëruar nga Lal Fiku dhe i hequr pas pak ditëve dhe u fut në burg për vepra të tjera??!! Bëri plagosje ai së bashku me djemtë e tij në Levan të disa personave dhe asnjë ditë burg…”, shkruan banori nga Salaria.
Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht kreu i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, Gramoz Ruçi, shtyu mbledhjen për heqjen e mandatit të Tahirit, pasi ky i fundit dispononte provat e tonelatave të drogës së njerëzve të Ruçit, ku është i përfshirë edhe vetë ai. Pas kërcënimeve dhe shantazheve të Tahirit pritet që Kuvendi të mos e miratojë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të Tahirit.
Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj e cilësoi të jashtëligjshme shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku do shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri. Alibeaj tha se, Rama është në aleancë me Tahirin dhe po pengon drejtësinë.
“Ne ishim të gatshëm të qëndronim deri në mesnatë, por seanca duhet të përfundonte sot. Ne u deklaruam se duhet të vazhdojmë se është e ngutshme. Shtyrja e mbledhjes nuk u hodh në votim. Rama është në aleancë me Tahirin për t’u bërë pengesë për drejtësinë. Sot, nuk u bë gjë tjetër veçse i dhanë privilegjin Tahirit për t’u mbrojtur. Në lojë është fati i gjithë shqiptarëve dhe jo fati Tahirit”, tha Alibeaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “Neës24”.
Ndërkohë i pyetur se çfarë ndodhi gjatë seancës me dyer të mbyllura, Alibeaj u shpreh se Prokuroria ka paraqitur prova dhe fakte që përbëjnë sekret hetimor.
“Janë paraqitur prova sekrete nga ana e Prokurorisë. Sot i është dhënë privilegj Tahirit për t’u mbrojtur. Mazhoranca bllokoi vijimin e procedimit, ndërsa pyetjet e Tahirit ishin në shkelje të rregullores. Sipas rregullores pyetjet ndaj Prokurorisë duhet të bëhen me shkrim”, tha Alibeaj.
Enkelejd Alibeaj tha se batutat e Saimir Tahirit “nuk keni parë gjë akoma” nuk i interesojnë opozitës dhe qytetarëve.
“Unë nuk merakosem shumë për batuat apo për shantazhet reciproke që ka Rama me Tahirin apo me të tjerët. Sot, ka një gjë që është themelore, pra fati i shqiptarëve. Ata mund të kenë dhe thikat me njëri-tjetrin, por kjo sot nuk ka rëndësi. Zgjedhja e vetme është që drejtësia të bëjë punën e saj. Rama mbron Tahirin”, tha ai.

R.POLISI