Dorëzo mafian! Rama, mes një fundi të tmerrshëm dhe një tmerri pa fund

Arben SHAHINI

Nga të qarat në intervistën e fundit televizive ku paralajmëronte arrestimin dhe burgun, drejtuesi i Habilajve ishte më i qetë dje në mbledhjen e Komisionit të Mandateve. Ish–ministri i Brendshëm, ndonëse në gjendje tensioni dukej disi më i qetë krahasuar me pamjen e një nate më parë, ku i duhej të përmendte shpesh edhe fatin e djalit të tij si një amanet që mafiozët e shqiptojnë për të fundit herë.
Kryetari i opozitës Basha deklaroi se Rama dhe Tahiri kanë arritur pakt mes tyre për të qenë në anën e mafies dhe jo në anën e drejtësisë, ndërsa një ditë më parë kishte paralajmëruar se Tahiri ka filmime dhe përgjime përmes të cilave Tahiri e mban peng Ramën.
Brenda pak orësh deklaratat e Ramës kanë ndryshuar krejtësisht. Nga një njeri i “tronditur” nga biseda e kriminelëve ku përmendet emri i Tahirit për shumat e parave që kishte përfituar nga trafiku i drogës dhe që kërkonte që drejtësia të jepte një vendim, dje ai ndryshoi tërësisht qëndrim dhe i quajti akuzat ndaj ish-ministrit të tij si ato të një kazani mediatik.
Bllokoi vendimin e Komisionit të Mandateve dhe kërkoi edhe më shumë kohë për ish-ministrin e vet. Bedelët e tij në Komision filluan të ngrinin zërin dhe deklaronin se provat e Antimafies italiane nuk i bindnin për përgjegjësinë që kishte ortaku i Habiljave në organizatën kriminale. Po ashtu e konsideruan të kotë edhe faktin se ish-ministri i Brendshëm përdorte të njëjtën makinë me trafikantët e drogës. Habilaj udhëtonte për në Greqi me “Audin” me targë 003GB, ndërsa në kthim makinën e merrte ministri i Brendshëm i asaj kohe. Edhe ky nuk përbënte një fakt për lidhjet mes tyre të anëtarëve të organizatës kriminale.
Në fakt vetë qeveria dhe kreu i saj funksionon si organizatë kriminale dhe është e kotë që një organizate të tillë t’i kërkosh të pranojë vërtetësinë e provave të Drejtësisë. Për të kuptuar deri ku ka arritur arroganca e kësaj organizate kriminale në politikë mjafton të dëshifrosh deklaratat e Tahirit të së enjtes në “Opinion”. Një shantazh i pastër ndaj ambasadorëve të Perëndimit që ndonëse nuk përmendeshin me emër ishte lehtësisht e kuptueshme se bëhej fjalë për ambasadorët e vendeve partnere më të rëndësishme që ka sot Shqipëria. “…i kam njohur ndryshe, secili me të vetat, njerëz janë edhe ata… S’ka nevojë Shqipëria për ambasadorë që tregojnë se sa familje apo klane mafioze ka, ia kam thënë ambasadorëve që atëherë s’më duhet mua fare kritika publike e një ambasadori”, u shpreh Tahiri.
Sipas Ramës dhe Tahirit të gjithë gënjejnë. Gënjen Antiamfia italiane, gënjen Prokuroria, gënjejnë shërbimet partnere dhe të vetmit që i duhet besuar është Rama dhe Tahiri. Hetimi 4-vjeçar të shërbimeve parnere italiane që në emisionet e tyre kanë shpenzuar me miliona euro në kapjen e krerëve të organizatës terroriste nuk i duhet besuar. Urdhëruan mediat e kapura që përmes frazash pa lidhje që ta bënin hetimin qesharak të palës italiane.

Shantazhi ka funksionuar

Tahiri e ka shantazhuar Ramën përgjatë ditës së enjte kur edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhërin e arrestit ndaj Tahirit. Rama u dëgjua tek fliste me telefon në ambjet publik me Tahirin, duke i deklaruar atij se nuk mund ta shpëtonte, pasi nga Italia kishin ardhur prova të reja. Më pas, Tahiri doli nga shtëpia e tij dhe para se të hipë në makinë deklaroi se “nuk kishin parë gjë akoma”. Dy orë pas kësaj dalje të Tahirit në shtëpinë e ish-ministrit mbërrin Gaz Demi, një mik i besuar i Ramës dhe i vetë Tahirit. Demo qëndroi në shtëpinë e Tahirit për afro dy orë. Askush nuk mund të di se çfarë është biseduar në ato kohë, ishte e qartë për të kuptuar se misioni i Demit ishte ai i një negociatori mes Ramës dhe Tahirit. Rama fillimisht ka kërkuar nga Tahiri që ai të pranojë vendimin e Drejtësisë ku t’i hapej rruga arrestimit të tij. Më pas, Rama ashtu sikurse ka vepruar edhe me kriminelë të tjerë në politikë dhe jashtë saj, por që janë në shërbim të kësaj organizate politike kriminale i premtoi Tahirit se ai nuk do të qëndronte shumë në burg, pasi do të lirohej nga vetë, ai. Kujtoi këtu edhe bisedën e përgjuar mes Ramës dhe Delijorgjit ku i thoshte të njëjtën gjë se do të qëndronte për pak kohë në burg dhe do të lirohej me ndihmën e tij.
Tahiri e ka përmendur edhe vetë diku se ai mund të përfundojë për “pak kohë në burg” dhe më pas do të ishte i lirë. Mirëpo bashkë me mesazhin e Ramës, negociatori në shtëpinë e ish-ministrit mori edhe përgjigjen e Tahirit. Ky i fundit i ka dhënë disa mesazhe të qarta. Së pari, Tahiri nuk ka pranuar që të burgoset. Ai ka paralajmëruar se nëse do të “tradhëtohej” nga Rama atëhere ai do të priste edhe faturën në këmbim. Në media dje dolën disa përgjime sipas të cilave gjenden në duart e Tahirit dhe kanë lidhje me vëllanë e Ramës, Olsin për lidhjet me laboratorin e drogës në Xibrakë, ku ai është i përfshirë. Kjo mund të jetë një nga pistat, por pista që është më e besueshme është ajo e ndarjes së parave të drogës për të cilën flet Habilaj. Në përgjigjen Habilaj thotë se Tahirit nuk i mjaftojnë as 200 milionë euro në një muaj fushatë. Kjo frazë duket përkthyer politikisht. Tahiri nuk i ka marrë për vetë këto 200 milionë euro. Ai i ka dhënë ato shefit të tij në qeveri për blerjen e votave në të gjithë Shqipërinë. Ky fakt nga hetimet italiane e kompromenton jo vetëm Tahirin, por edhe vetë Ramën.
Pasi ka marrë mesazhet e Tahirit përmes negociatorit të vet, Rama ka nisur të reflektojë dhe të ndryshojë qëndrim nga qëndrimet që kishte mbajtur paraditen e së enjtes. Kjo u pa në sjelljen e anëtarëve të mazhorancës në Komisionin e Mandateve, të cilët ishin të prerë për të mos lejuar kurrsesi drejtësinë të ushtrojë hetim ndaj Tahirit.

Rama i pasigurtë

Megjithëse ka mundur të zvarrisë mbledhjen e Komisionit të Mandateve, Rama ka lënë të kuptohet se ai është i pasigurtë në vendimin që do të marrë për fatin e Tahirit. Nëse do ta kishte këtë siguri të plotë, atëherë në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Mandateve ai mund ta refuzonte kërkesën e Prokurorisë. E ka shtyrë për sot në pritje edhe të një tjetër negociatori që e ka nisur në drejtim të Italisë. Bëhet fjalë për Sekretarin e tij, që ish-Kryeministri e quan avokat të Mafies, pra, Agaçin. Prej disa ditësh, ai gjendet në Itali për të shpëtuar shefin e tij dhe ortakun e Habilajve në krim. Për Bashën është e qartë se koha që ka marrë Rama përmes shtyrjes së vendimit bëhet për të blerë lirinë e organizatës kriminale.

Dilema e Ramës

Rama është sot mes dilemës së një fundi të tmerrshëm dhe një fundi pa tmerre. Një portal i pavarur citonte një ambasadë të rëndësishme që të kishte paralajmëruar Ramën direkt se “Ne besojmë se kryeministri do ta mbajë premtimin që na ka dhënë prej kohësh dhe nuk do ta pengojë drejtësinë, në të kundërt ai do të gjendet përpara të papriturave të pakëndshme”. Kjo nuk është një gjuhë diplomatike nga ajo që përdorin zakonisht ambasadorët. Ky është një paralajmërim për atë që e pret Ramën. Nga njëra anë, ai ka frikë nga fundi i tmerrshëm që i është bërë i qartë, nga ana tjetër ka frikë nga hakmarrja e mafies që vetë ai ka ndërtuar me duart e veta. I gjendur në këtë dilemë, Rama në të gjitha rastet nuk e pret fat i mirë. Tmerri i pafund që mund të jetë zgjidhja tjetër e tij do të ishte fillimi i një procesi çmontimi të plotë të organizatës kriminale në qeveri që kurrsesi nuk mund ta lërë atë të paprekur.

Provat e reja që fundosin Tahirin

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë mbërritur të tjera dosje për çështjen “Habilaj–Tahiri”. Burime të Lapsi.al thanë se ato janë administruar nga prokurorët e çështjes. Të njëjtat burime thanë se bëhet fjalë për një material rreth 400 faqe si përgjigje e italianëve pas letër-porosisë së nisur nga prokurorët shqiptarë në adresë të homologëve të tyre.
Sipas burimeve aty gjenden më të detajuara bisedat e përgjuara të grupit të Habilajve, por nuk përjashtohet mundësia edhe e materialeve shtesë. Besohet se një pjesë e dosjes mund të përdoret në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve.
Sipas Prokurorisë rëndohet gjendja e Tahirit. Tani pasi socialistët po mundohen të luftojnë për mos dhënien e lejes për arrestim të ish-ministrit të Rendit, prokurorët flasin për prova të reja. Jo më dosja me 400 faqe e ardhur nga Siçilia, por tani flitet për një dosje me 150 faqe të ardhur nga Prokuroria e Leçes. Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se ka prova të tjera që janë në dorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që lidhin Saimir Tahirin me trafikun e drogës. Sipas burimit të saj flitet për foto dhe përgjime të tjera që vërtetojnë lidhjet e Tahirit me Habilajt. “Unë se di sa janë të vërteta, por këto janë pretendimet e prokurorëve”, deklaroi gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Studio e Hapur”.