Di Maria i pakënaqur tek PSG

Që kur drejtimin e PSG-së e mori sheiku nga Katari, Nahser al-Khelaifi, për klubin nga Parisi nuk ishte shënuar më parë një fillim sezoni kaq pozitiv. E, megjithatë, jo domosdoshmërisht është përkthyer në një klimë optimiste e të buzëqeshur në dhomat e zhveshjes. Në këtë rast, faji bie tek Unay Emery, që edhe pse numëron 12 fitore dhe një barazim në 13 takime zyrtare, me 43 gola të shënuar e 7 të pësuar, duket se e përdor me shumë kursim grupin që ka në dispozicion. Më konkretisht, janë vetëm 16 lojtarë që zbresin gjithnjë në fushë. Kjo ka sjellë që për shumë lojtarë buzëqeshja të zbehet, si në rastin e Di Marias, që nuk festoi as golin e tij në Champions, ndaj Anderlechtit.
Argjentinasi preferoi të ulte kokën, pavarësisht përqafimit të shokëve. Siç sinjalizon e përditshmja sportive franceze “L’Equipe”, ky gjest nuk është i rastësishëm, përkundrazi ishte shenjë e mërzisë dhe nervozizmit për faktin se ai nuk po aktivizohet mjaftueshëm. Di Maria është i trishtuar, edhe për faktin se në fund të sezonit shpresonte që të ndërronte fanellë dhe të largohej nga stoli që iu imponua pas mbërritjes së Neymar dhe Mbappe. Por PSG e refuzoi ofertën e Barcelonës, duke i konsideruar pak 40 milionë euro për të. Me situatën që paraqitet aktualisht, Di Maria mund të shpresojë për një largim vetëm në fund të këtij sezoni. Humori jo i mirë dhe pakënaqësitë duket se po përhapen në dhomat e zhveshjes. Edhe Draxler nuk ndihet mirë me qëndrimin e tij të gjatë në stol. Kështu që flitet se interesimi i Bayernit për 24-vjeçarin e talentuar mund të rezultojë pozitiv. Por edhe për emra të tjerë si Pastore, Lucas, Trapp, Lo Celso situata nuk është më e favorshme, të gjithë po qëndrojnë në stol. Më keq nga të gjithë qëndron Ben Arfa, i përjashtur dhe në konflikt ligjor me PSG.