Bylykbashi: Këshilli i Mandateve nuk është gjykatë

Këshilli i Mandateve Rregullores dhe Imunitetit ka qëllim vetëm që Parlamenti dhe jo Sajmir Tahiri, të bindet se në kërkesën e Prokurorisë nuk ka “fumus persecutionis” ose ndryshe, që kërkesa nuk ka qëllim përndjekje politike, me qëllim dëmtimin e deputetit pa u bazuar në prova dhe ligj.
Imuniteti parlamentar nuk është mburoje për deputetin, por koracë kushtetuese për të mbrojtur Parlamentin nga goditja politike antikushtetuese. Ndaj nuk duhet të bindet Tahiri, por Këshilli se nuk po kërcënohet funksionimi i Parlamentit.
Tahiri ka të drejtë të argumentojë se kërkesa e Prokurorisë nuk është e bazuar në prova dhe ligj, ndaj dhe kërkesa është e motivuar politikisht. Nuk ka të drejtë të bëjë debat mbi provat, gjë që bëhet para Gjykatës. Prokuroria e thotë troç që ka prova. Madje prova aq serioze sa duhen shfaqur me dyer të mbyllura.
Provat i çmon Gjykata jo Këshilli parlamentar, sepse nuk është Gjykatë. Këshilli sheh vetëm nëse ka prova dhe se kërkesa nuk është e pamotivuar.
Gramozi me të tijtë ta ndajë mendjen: ose të autorizojnë arrestimin dhe kontrollin e banesës, ose nëse mendojnë se akuza për trafik droge cenon edhe mazhorancën socialiste, të votojnë kundër. Nuk kanë faj se janë të zhytur nga koka te këmbët e mazhorancës në këtë trafik.