Ballina Kulturë Brezi më apatik i të rinjve

Brezi më apatik i të rinjve

Teresa Mull

Ekziston një bindje e përhapur kudo se të rinjtë e sotëm janë të mërzitshëm. Rinia e përbërë nga brezi i lindur ndërmjet viteve 1980 dhe 2000, mund të thuhet vërtetë se vuajnë nga sindroma e indiferentizmit masiv. Njerëzit në përgjithësi kanë kohë që i kritikojnë të rinjtë e ditëve të sotme aq sa janë kthyer në shënjestër nënçmimi e nënvlerësimi. Një “Washington Post” madje fliste me tone veçanërisht të egra në një artikull të titulluar: “Pesë arsye përse i urrejnë të rinjtë e sotëm”.
Është e qartë, askush nuk i ka qejf. Megjithatë, pavarësisht gjithë baltës që prej kohësh hidhet mbi këtë brez, askush nuk guxon të flasë për arsyet e vërteta përse ky brez ka arritur deri këtu apo të drejtojë gishtin tek fajtorët e vërtetë. Do të ishte më e ndershme të flitej pa doreza dhe të hidhej faji tek ata që brezi i të rinjve të sotëm mendojnë se e kanë: tek prindërit e tyre.

Brez i zbutur dhe i mërzitshëm
Një artikull i “Business Insider” raportonte në fillim të këtij viti se të rinjtë e mijëvjeçarit janë stereotipa të narcizismit, egoizmit, përtacisë dhe arrogancës. Të mos harrojmë faktin që janë edhe të mërzitshëm, të fiksuar pas telefonëve të tyre celularë, të hutuar dhe të papërqendruar.
Rinia është ajo kohë në jetë, kur duhet të bësh gjërat më të bukura dhe të çmendura, të kesh një sjellje aq të papërgjegjshme sa mund t’ia tregosh nënës tënde vetëm, pasi kanë kaluar shumë vite, të eksperimentosh me faza dhe ide për të cilat të rriturit do të tundnin kokën. Me pak fjalë, të rinjtë duhet të bëjnë gjëra të çuditshme, idiote dhe të rrezikshme që mund të kthehen në histori të pabesueshme për t’ia treguar nipërve të t’u kur të plakesh dhe të çlirosh imagjinatën për aq kohë sa ke mundësi. Është gjithashtu e shëndetshme të provosh disa eksperienca të ndryshme në rini përpara se të krijosh një familje. Kjo është mënyra më e mirë për të mësuar, siç ka thënë edhe C.S. Lewis: “Eksperienca është mësuesja më e egër. Ashtu po që zë mend!”.
Por të rinjtë e sotëm nuk bëjnë gjëra të çmendura dhe nuk kanë ndërmend të krijojnë as familje. Nuk janë aspak aventurierë, të çuditshëm, emocionues dhe as lehtësisht të emocionueshëm. Studimet tregojnë se të rinjtë e sotëm pinë më pak alkool, janë më pak përdorues të drogës në krahasim me brezat e mëparshëm dhe nuk janë as shumë të tërhequr pas seksit. Kjo do të ishte analizë e gabuar vetëm në rast se të gjithë të rinjtë nëpër botë kanë rënë dakord që të gënjejnë nëpër sondazhe.
Megjithëse duhet pranuar se është mjaft pozitiv fakti që të rinjtë e sotëm nuk janë duke dëmtuar aq shumë trupin dhe mendjet e tyre me substanca narkotike dhe sjellje të pamoralshme, një pyetje lind natyrshëm. Nëse ky brez nuk rri duke bërë festa, duke çliruar anën më të egër, nuk është i bezdissshëm dhe rebel, dhe nuk është duke zënë mend nga gabimet më të rënda të jetës, çfarë është duke bërë?
Një i ri që punon në një nga lokalet më të frekuentuara nga të rinjtë në Leeds të Anglisë, ka thënë për “Thw Economist” se “të rinjtë e ditëve të sotme duan vetëm të jetojnë brenda botës së tyre të vogël e të mërzitshme, të rrinë gjithë ditën në krevat, duke parë seriale televizivë dhe duke u shëndoshur deri në obezitet”. Në një artikull ku spekullohej me arsyet përse të rinjtë nuk janë më “seks, drogë dhe rock n’ roll”, shkruhej se telefonët smart dhe rrjetet sociale i kanë shtyrë të rinjtë drejt socializimit të izoluar, gjë që i ka shtyrë të pijnë më pak alkool dhe të përdorin më rrallë drogë.
Në vend që të takohen, të marrin vendime të gabuara dhe të argëtohen sëbashku, të rinjë janë të zënë duke u përpjekur t’i bëjnë zili njëri-tjetrit me jetën e tyre pseudo-perfekte përmes fotografive të rregulluara me Photoshop në rrjetet sociale. Jeta është kthyer kështu në një garë pa finish për të kërkuar vlerësimin e të mosharave në jetën virtuale. Buzëqeshje që zgjasin aq sa për të bërë një “selfie”, udhëtime sa për të bërë një check-in. Si u bënë të rinjtë kaq të zbrazët, kaq të dëshpëruar për të pasur pëlqimin e të tjerëve? Nuk është tërësisht faji i tyre.

Brezi i të llastuarve
Të rinjtë e sotëm janë rritur nga brezi i quajtur “Baby Boomers”, të lindurit ndërmjet viteve 1946-1964. Brezi i fëmijëve të tyre është rritur nga një brez prindërisht mbytës dhe tepër protektivë ndaj fëmijëve. Kjo ishte koha kur dolën në modë edhe familjet e vogla, kështu mungesa e motrave dhe vëllëzërve i bënte fëmijët të kthehehin në qendrën e vëmendjes. Teksa fëmijët mbyteshin me vëmendje dhe përkujdesje, me çdo lëvizje të tyre të monitoruar në mënyrë të bezdisshme, nuk iu dha as disiplina e duhur dhe as standardet e nevojshme për t’u rritur siç duhet.
Prindërit dhe edukatorët e të rinjve të sotëm kanë rritur një brez me vetvlerësim që kalon çdo kufi. Fëmijët nuk janë lënë të argëtohen dhe të jetojnë fëmijërinë, pasi duhet të silleshin “si të rritur” që në moshë të hershme. Me këtë lloj edukimi, ata nuk arritën të krijonin një identitet interesant personal, por shqetësoheshin që të ishin po aq të zotë sa të tjerët.
Prindërit e të rinjve të sotëm kanë krijuar “brezin e egoistëve”, duke i thënë fëmijëve vazhdimisht sa të mrekullueshëm ishin. Të gjithë fëmijët ishin fitimtarë, të gjithë meritonin një trofe. Asgjë nuk ishte e paarritshme. Të ruash virgjërinë për martesë, t’i japësh fëmijës një emër normal, të qëndrosh i martuar dhe të tjera principe morale tradicionale ishin harruar plotësisht përpara se të lindte ky brez i të rinjve. Nuk është aspak çudi që u kthyen në një brez narcizist, përtac dhe arrogant. Pyetja është: Përse, ndër të tjera, ky brez është kaq i rëndomte dhe pa imagjinatë?

Çfarë e vrau krijimtarinë?
Vlerat tradicionale të besimit fetar, familjes dhe lirisë kanë qenë bazat e kulturës amerikane dhe asaj perëndimore, deri sa të rinjtë e lindur në fillim të mijëvjeçarit i zëvendësuan me relativizmin, egoizmin dhe indiferencën. Shpirti rebel amerikan që frymëzoi patriotët të mundnin sundimin britanik, shtyu edhe James Deal, që të rebelohej pa ndonjë shkak personal dhe detyroi Jack Kerouac të shëtiste gjithë Amerikën, u shua plotësisht kur brezi i ri që nuk kishte kureshtje për asgjë përveç vetes, nuk arriti ta ushqente siç duhet.
Të rinjtë nuk dinë më si të rebelohen, megjithatë duhet pranuar fakti se nuk kanë pasur shumë arsye për ta bërë. Sot njerëzit shqetësohen vetëm për të komentuar jetën e njerëzve të famshëm dhe politikanëve në rrjetet sociale, jo të rebelohen kundër çdo ideje apo ngjarjeje, për të prodhuar ndonjë rezultat domethënës. Rinia e sotme nuk di të ngrihet kundër autoritetit, duan vetëm të vazhdojnë jetën e tyre në konformitet të plotë të realitetit që i ofrohet.
Rregullat janë bërë për t’u thyer, por të rinjtë në të kundërt kanë tendencën në ditët e sotme t’i imponojnë vetes akoma më shumë rregulla dhe duan medoemos të përshtaten me një grup të caktuar apo një etiketimi të caktuar në komunitet, në një kohë kur të rinjtë e mëparshëm donin të bënin çmos për të qenë ndryshe dhe për të mos u përshtatur me rregullat që i impononte shoqëria.
Lufta pa mbarim me idenë e ekzistencës së qenieve njerëzore e shprehur në veprat e Hemingway, Fitzgerald, Edward Abbey, Tom Wolfe dhe shumë të tjerë, nuk preket dhe as kuptohet nga “artistët” e ditëve të sotme. Të rinjtë nuk janë më sot të etur për dije, për eksperiencë dhe beteja. Indiferenca dhe izolimi janë tiparet që karakterizojnë shumicën e 20-30 vjeçarëve.
Të rinjtë e viteve 60 mund të kenë qenë të shfrenuar dhe rebelë, por të paktën dinin të jetonin. Të rinjtë e sotëm dinë vetëm të etiketojnë njëri-tjetrin me terma si “seksist”, “racist” apo “homofobë”. Bindjet dhe argumentet janë zëvendësuar me qëndrime dhe në vend të filozofëve, sot na duhen më shumë psikologë. Kjo e fundit është veçanërisht e vërtetë për faktimin se studimet e fundit tregojnë se ky brez është vërejtur se ka numrin më të lartë të personave që vuajnë nga problemet mendore.

Pa asnjë drejtim
Kur asgjë nuk shkon mirë, nuk mund të thuash se gjithçka shkon keq. Për të rinjtë sot, gjërat nuk shkojnë as mirë, as keq. Nihilizmi është vërtetë i mërzitshëm, por mungesa e qëllimit dhe kuptimit të jetës të çon detyrimisht në vetmi, boshllëk dhe më pas depresion. Sot, njerëzit mundohen të kapen pas diçkaje dhe gjërat më sipërfaqësore si “selfie”-t përdoren për të mbushur boshllokën dhe për t’i dhënë jetës një farë domethënieje. Ky brez është rritur për të kërkuar dhe marrë lavdërime, kështu sot ata kanë frikë të humbasin vendin si qendra e vëmendjes. Këtë vend përpiqen ta kërkojnë në rrjetet sociale ku ndjejnë se janë të pëlqyer dhe pranuar nga shoqëria.
Të rinjtë sot nuk janë ekscentrikë. I mungon shkëndija që shtynte brezat e tjerë të rebeloheshin dhe të shkundnin gjërat, për të qenë provokues dhe për t’i rishpikur gjërat që kontribuan në përmirësimin e botës, për ta bërë atë një vend më interesant. Sot, ata janë një grup homogjen njerëzish që pretendojnë dëshpërimisht se “janë vetvetja” në të njëjtën mënyrë identike.
Në fakt, nuk ka asgjë që nuk shkon me një komunitet të mbyllur në vetvete, ku të gjithë shohin dhe punojnë për të mirën e përbashkët. Por për çfarë punojnë të rinjtë e sotëm? Për mendësi të mbyllur dhe përbuzje. Çfarë mund të sjellë mendësia e mbyllur, shtypja e mendimit? Art? Muzikë? Komedi? Jo. Vetëm një jetë të rëndomtë që nis dhe mbaron e zbrazët.
Megjithatë, ekziston një anë pozitive që buron nga zhvillimi i jashtëzakonshëm që ka marrë sot teknologjia. Jetët e zbrazura dhe “arti” pa kuptim i prodhuar nga brezi më i mërzitshëm i të rinjve, është i destinuar të humbasë përgjithmonë në botën e pamëshirshme të hapësirës kibernetike, ku gjithçka harrohet dhe zëvendësohet çdo sekondë nga diçka tjetër. Të shpresojmë që fëmijët e këtij brezi të kenë fatin të rebelohen kundër prindërve të tyre.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version