166 të vdekur në aksidentet rrugore në 9 muaj

Shqipëria vijon të ketë një prevalencë të lartë të humbjes së jetës prej aksidenteve rrugore. Edhe pse me një rënie me 17 për qind në raport me vitin e kaluar, 166 persona kanë ndërruar jetë prej aksidenteve me makinë në rrugë gjatë janar-shtator 2017, raportoi INSTAT.
Pjesa më e madhe e jetëve të humbura më shumë se 93 persona ose 56 për qind e atyre që vdiqën ishin të rinj të moshës deri në 35 vjeç.
Vetëm në muajin shtator 2017 numërohen 172 aksidente rrugore nga 191 aksidente të ndodhur në shtator 2016. Në krahasim me shtator 2016, numri i aksidenteve është ulur me 9,9%
Numri i të aksidentuarve është 214 persona nga 265 që ishte një vit më parë, për të njëjtën periudhë. Në nëntëmujorin 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 5,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i personave të plagosur gjatë muajit shtator 2017 është 197 nga 246 persona të plagosur në shtator 2016. Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 5,8%.
Sipas INSTAT, në shtator, aksidentet rrugore, në 86,0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç, duke zënë 31,4% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u rritur me 5,9%, krahasuar me një njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në nëntëmujorin 2017, aksidentet rrugore, të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit zënë 81,3% të rasteve.
Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç duke zëne 28,0% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 3,9% me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shtator 2017, numri i të vdekurve për 100.000 banorë ishte afërsisht 1 person.