Strategu i çiftit Clinton hedh poshtë akuzat ndaj Trump

Fausto Carioti

Hillary Clinton ka ndërtuar një alibi tek e cila ndoshta beson seriozisht: gjithçka ka qenë faj i Vladimir Putinit. Sikur të mos kishte qenë për ndërhyrjet e rusëve në zgjedhjet presidenciale amerikane, për paratë e Kremlinit, për hakerët, për llogaritë false të krijuara në Facebook dhe në rrjetet e tjera sociale, tani në Shtëpinë e Bardhë do të ishte ajo, jo Donald Trump. Me këtë dalldisje, ajo ka mbushur një libër. Në faqet e sapodala prej shtypit të “What Happened”, rusët janë kudo. «Tani që na kanë infektuar dhe kanë parë sesa janë të dobëta mbrojtjet tona, do të vazhdojnë ta bëjnë prap. Do të marrin në shënjestër armiqtë dhe aleatët tanë. Qëllimi final i tyre është të minojë bile ndoshta të shkatërrojë vetë demokracinë perëndimore». Shumë janë me të: besimi se Donald Trump është vënë aty nga Putini është ngushëllimi i fundit i mbetur demokratëve.
Por edhe midis mbështetësve të Hillary Clinton ka që i ka ardhur në grykë ky miti i fitores së mohuar dhe të paktën njëri prej tyre nuk është votues i çfarëdoshëm. Quhet Mark Penn, është 63-vjeçar dhe ka qenë kryestrategu i fushatës elektorale me të cilën në vitin 1996, Bill Clinton fitoi mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, i fushatës me të cilën Hillary Clinton siguroi vendin në Senat në 2000 dhe i asaj që humbi 8 vite më pas primaret e Partisë Demokrate, duke u përplasur me Barack Obama, që edhe u bë President.
Pikërisht për këtë motiv, artikulli që ka shkruar në “Wall Street Journal”, i titulluar «Nuk mund ta blesh presidencën me 100000 dollarë», i ka dhënë një goditje në zemër armiqve të Donald Trump. «Fake news për fake news janë praktikisht të pafundme», thekson Penn. Edhe pse nuk e lidh unazën e fundit, ajo çfarë nënkupton është e qartë: shpërndarësja e vërtetë e «fake news», në këtë rast është Hillary Clinton. «Amerikanët e preokupuar për influencën e Rusisë», shkruan ish-krahu i djathtë i çiftit Clinton, «përqendrohen mbi një grusht njoftimesh në Facebook», vlera e të cilave shkon në 100 000 dollarë, «sikur të mos kishte pasur edhe 3 përballje televizive 90 minutëshe secili, dy konventa partishë të transmetuar në televizion dhe 2.4 miliardë dollarë të shpenzuar për fushatën elektorale e vitit të kaluar».
Buxheti total i Hillary Clinton shkonte në 1.4 miliard dollarë, kurse ai i Trump në rreth 1 miliard: nëse vërtet rusët patën investuar pothuajse 100 000 dollarë në Facebook, «do të kishin hequr 0.025% të avantazhit të saj». Pas «40 vitesh përvoje politike», Penn mund të thotë me përgjegjësi profesionale se «duhen dhjetëra miliona dollarë për t’i dhënë mesazhe domethënëse pjesës së kontestuar të elektoratit». Gjithsesi, kujton ai, nuk është hera e parë që një fuqi e huaj hedh para në pjatën e zgjedhjeve amerikane. Në vitin 1996, qeveria kineze «pompoi qindramijëra dollarë në fushatën e rizgjedhjes së Bill Clinton». U zhvilluan hetime nga ana e Kongresit në Washington, por rezultuan me një hiç të madh dhe «jeta eci përpara». Tamam për ta pasur në mendje edhe këtë, sepse çifti Clinton dhe jetimët e pangushëllueshëm të tyre duket se e kanë harruar.

“Libero Quotidiano”|

Përgatiti
ARMIN TIRANA