Sfida serioze për Kinën dhe botën

Në çelje të Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, Presidenti i Kinës, Xi Jinping u shpreh kundër të gjitha përpjekjeve për t’i vënë pikëpyetje udhëheqjes së partisë. “Secili nga ne në parti duhet të bëjë më shumë, për ta ruajtur udhëheqjen e partisë dhe sistemin socialist kinez dhe të luftojë me vendosmëri kundër të gjitha shprehjeve dhe veprimeve, që i minojnë ato, i shtrëmbërojnë ose i mohojnë”, tha Xi para rreth 2300 delegatëve nga e gjithë Kina. Me fjalimin e Presidentit nis në Kinë Kongresi i partisë, i cili përcakton kursin për pesë vitet e ardhshme.
Xi u bëri thirrje 89 milionë anëtarëve të partisë që t’i shtojnë përpjekjet për të krijuar mirëqenie në Kinë dhe që ta bëjnë “socializmin e tipit kinez” të suksesshëm “për një epokë të re”. “Shanset janë të mira, por sfidat janë serioze”, tha Xi, i cili pati hyrë më parë në Sallën e Madhe të popullit i shoqëruar nga paraardhësi i tij në post, Hu Jintao (74) dhe Jiang Zemin (91). Si Kina, ashtu edhe bota ndodhen në “ndryshime të thella dhe të ndërlikuara”. 64-vjeçari lëvdoi ndikimin në rritje të Kinës në botë dhe përpjekjet e qeverisë për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë në Kinë.
Xi tërhoqi veç kësaj vëmendjen për politikën e “tolerancës zero” përballë korrupsionit në parti. Fushatën kundër korrupsionit Xi e mori në duart e tij, së bashku me vendimet për politikat e përgjithshme ekonomike dhe e ka konsoliduar me këtë pushtetin. Më shumë se një milion nëpunës shtetërorë janë ndëshkuar, dyzina ish-nëpunësish të lartë janë arrestuar.
Në përfundim të Kongresit, delegatët do të zgjedhin 205 anëtarët e Komitetit Qendror të PKK. Vëzhguesit presin që Xi të vendosë në Kongres bazën që të qendrojë në pushtet më gjatë se dhjetë vjetët e zakonshëm. Me këtë do të merrte fund “udhëheqja kolektive”. Delegatët do ta fiksojnë në Kushtetutën e partisë trashëgiminë ideologjike të Xi. Nëse në statut shënohet edhe emri i tij, Xi do të ngrihej në të njëjtën shkallë historike si themeluesi i shtetit Mao Ce Dun dhe arkitekti i reformave ekonomike Ten Hsiao Pin.