Saimir Tahiri ose “Shefi i madh”, biseda tjetër ku e përmendin kushërinjtë

Roli i ish-ministrit të Brendshëm, sipas asaj që përshkruan Prokuroria, Saimir Tahiri në trafikun e drogës ishte ajo e njeriut që mbronte bandën dhe garantonte imunitet nga policia. Pikërisht këtë rol kishte “Shefi i madh” një person ende i paidentifikuar, por që ka dalë nga përgjimet e telefonatave të Habilajve nga italianët. Kështu, ndërsa Moisi Habilaj merrej me mafiozët italianë të Katanias, vëllai i vogël Floriani kishte nën kontroll situatën në Shqipëri. Ai është përgjuar pas një vizite në Tiranë, ku kishte takuar “Shefin e madh”, që dyshohet se është Saimir Tahiri. Llexoni më poshtë bisedën e përkthyer nga përgjimet e italianëve:
Floriani: Jam nisur që dje në Tiranë dhe tani sapo erdha në Fier.
Moisiu: Pse?
F: Më kërkoi shefi i madh
M: Çfarë kërkonte?
F: Asgjë, për këtë… për situatën
M: Aha…fole direkt me të?
F: Më priti në 11:30, më dërguan edhe taksi të më merrnin
M: E çfarë të tha?
F: Më pyeti si është situata
M: Që domethënë…?
F: Më tha që të mos shqetësohesha, sepse është çështje orësh dhe se të mos mendohesha shumë.
M: Duhet t’i thoshe që ne nuk kemi asnjë faj, këtë duhet t’i thoshe.
F: Po ja thashë që ne nuk kemi faj e më tha që ata e bëjnë qëllimisht që unë t’i telefonoj.
M: Edhe ne e kemi ditur këtë gjë dhe për këtë arsye nuk e kemi shqetësuar.
F: Ai më tha që e kemi telefonuar dhe i kishte kërkuar që të mos përzihej me lojërat e fatit.
M: E kishte telefonuar (Duke nënkuptuar një person të tretë).
F: E kishte telefonuar ky i madhi. E kishte marrë në celular. Unë i thashë që ne nuk godasim, na ka shqetësuar na ka shkatërruar të gjithë biznesin.
M: Në rregull.
F: Më tha, “ik i qetë mos u shqetëso”.
Në dosjen e dorëzuar në Kuvend, emri i Tahirit del edhe tek aksioni i mbrëmjes së mërkurë në Babicë të Vlorës, ku u kapën 4 ton kanabis sativa, i gatshëm për t’u ngarkuar dhe trafikuar.
“Në lidhje me këto fakte penale dhe për subjektet Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Artan Habilaj, Armand Koçerri, etj., nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, është zhvilluar hetimi në rang të procedimeve penale me Nr. 134 të vitit 2016 dhe 164 të vitit 2017”.