Matthaus: Kjo, periudha e ekipeve angleze

Ish-mesfushori i Gjermanisë dhe Interit të Milanos, Lothar Matthaus, vlerësoi shumë progresin e skuadrave angleze në futboll. Ai tha se kishte mbetur i mahnitur me shpejtësinë e përmirësimit të këtyre ekipeve, të cilat po dominojnë edhe në 5 grupet e Champions League-s, ku bëjnë pjesë.
“Deri diku e kisha parashikuar, por tani mund të them me bindje, se ky është viti i skuadrave angleze. Veçanërisht 5 skuadrat pjesëmarrëse në Champions, duken në formë të shkëlqyer dhe çdo skuadër që pretendon trofeun, duhet të përballet si fillim me to”, tha Matthaus. Sipas tij, çelësi i suksesit të skuadrave të Premiere League-s janë pikërisht investimet e shumta, në futbollistë dhe trajnerë, që kanë rritur rivalitetin dhe përmirësuar ndjeshëm cilësinë.
“Në Premiere League drejtojnë trajnerët më të mirë në botë, si Mourinho, Guardiola, Klopp, Pochetino, Conte, etj. Atje kanë investuar shumë edhe në merkaton e futbollistëve, sepse kanë arritur të afrojnë lojtarë kampionë, nga më të mirët në qarkullim. Nuk është rastësi, që nga 8 grupe të Championsit, 5 kryesohen prej skuadrave angleze”, tha Matthaus, që pranoi se shanset më të mëdha janë që trofeu i këtij sezoni të shkojë në ishull.