Llalla: Një vit hetim me ndërkombëtarët për drogën e Habilajve në Babicë

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla, ka mbërritur me urgjencë paraditen e djeshme në Prokurorinë e Vlorës. Kjo lëvizje e kryeprokurorit vjen pas sekuestrimit të tonelatave të drogës në Babicë të Vlorës, e cila i përket bandës së Habilajve. Në dalje nga zyrat e Prokurorisë së Vlorës, duke iu përgjigjur shkurt interesit të medias, kryeprokurori tha se, Prokuroria ka hetuar disa muaj me partnerët ndërkombëtarë për tonelatat e drogës në Babicë. “Prokuroria prej disa muajsh kishte në hetim rastin konkret. Bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë u finalizua me rezultate konkrete. Në vijim do të kemi të dhëna më të sakta”, u shpreh Llalla. Situatën në Qarkun e Vlorës, kryeprokurori e cilësoi shqetësuese, ndaj paralajmëroi zhvillime në vijim.
Më pas, Llalla zhvilloi një takim edhe me prokurorët e Lushnjës. Llalla qëndroi për afro 30 minuta në zyrtën e kreut të Prokurorisë lokale, duke u dhënë të gjithë mbështetjen për zbardhjen e maskarës së Lushnjës para dhjetë ditësh ku mbetën të vrarë dy persona.
Llalla theksoi se Prokuroria e Përgjithshme ndjek me shqetësim të veçantë situatën dhe ngjarjet kriminale në të gjithë vendin, për zbardhjen e të cilave theksoi nevojën e bashkëpunimit të qytetarëve. Llalla tha për mediat se, në fokus të takimit ishte vrasja e dyfishtë e 11 tetorit të këtij viti, autorët e së cilës vijojnë të jenë në kërkim. “Ka lidhje me ngjarjet e fundit të ndodhura në qytetin e Lushnjës. Kemi ardhur për të ndjekur nga afër situatën, për t’i ofruar mbështetje stafit të Prokurorisë së Lushnjës, njëherazi të ndihmojmë të gjithë së bashku në zbulimin e autorëve të këtyre veprave penale”, u shpreh Lllalla.