Kane vlen më shumë se Neymar

11 gola në 10 ndeshje ka realizuar Harry Kane me Tottenham Hotspur në këtë sezon. 24-vjeçari është konfirmuar edhe njëherë si një sulmues me cilësi të jashtëzakonshme. Përpara portës ai është një “killer” i vërtetë dhe për të jo më kot interesohen klubet më të mëdha të Europës. Reali i Madridit qëndron në rradhën e parë, pasi për presidentin e Los Blancos, Florentino Perez është pikërisht Kane, objektivi i madh në merkato për verën e ardhshme.
Tottenham nga ana tjetër dëshiron ta mbajë edhe për shumë vite në skuadër, të paktën kjo është ajo që dëshiron presidenti “Gjelave” të Londrës, Daniel Levy. Megjithatë, misioni do të jetë i vështirë, duke parë interesimin e Realit për lojtarin. Por gjithsesi edhe Los Blancos nëse e duan sulmuesin duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, pasi për drejtuesit e “Spurs”, Kane vlen më shumë se Neymar, pra kartoni i tij kushton më tepër se 222 milionë euro, shifër kjo të cilën PSG e shpenzoi për të blerë brazilianin nga Barcelona.