Halimi: Ruçi vegël e Ramës, po shkatërrohen provat

Pas përpjekjeve të forta për të penguar mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Saimir Tahirit, Ruçi u detyrua dje nga opozita që të mbledhë pasdite Këshillin. Megjithatë, sërish ai nuk pranoi miratimin e kërkesës së Prokurorisë, ndërsa shtyu mbledhjen për ditën e sotme në orën 11:00.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, ka komentuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Saimir Tahirit. Halimi tha se, Rama nuk e do drejtësinë dhe Ruçi është vegël e tij.
“Kemi pritur mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve lidhur me kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit. Edi Rama nuk e do drejtësinë prandaj qëllimisht e vonon mbledhjen e Këshillit për t’i hapur rrugën për hetimin, arrestimin e Saimir Tahirit. Dënojmë ashpër qendrimin e Gramoz Ruçit, i cili tregoi edhe njëherë se është një vegël në duart e Edi Ramës për ta përdorur në ditë të vështira si kjo e sotmja, kur kërkon kohë vetëm e vetëm që të shkatërrojë provat e krimit që lidhin Saimir Tahirin me Edi Ramën. Çdo minutë që kalon është në favor të krimit. Çdo minutë që kalon është kundër drejtësisë dhe kundër qytetarëve. Kjo është e vërteta. Nesër do jemi patjetër në orën 11.00”, tha Halimi.
Praditen e djeshme, menjëherë pas depozitimit të kërkesës së Prokurorisë në Kuvend, anëtarët e PD në Komisionin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve u paraqitën në Kryesinë e Kuvendit, ku kërkojnë mbledhjen urgjente të këtij komisioni, pasi çdo minut që kalon, Edi Rama dhe Tahiri e shfrytëzojnë për prishjen e provave të krimit. “Kërkojmë menjëherë që tani mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për arrestimin e Saimir Tahirit. Çdo minutë që kalon shërben për të shkatërruar provat e krimit që lidhin Tahirin me Edi Ramën. Çdo minutë që kalon i shërben krimit dhe është kundër drejtësisë dhe kundër qytetarëve. Ndaj i bëjmë thirrje Gramoz Ruçit që të fillojë menjëherë mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve për të shqyrtuar menjëherë, tani kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm”, u shpreh Eduard Halimi.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi mbajti peng orën e mbledhjes së Këshillit të Rregullores, ku do të vendosej për imunitetin e deputetit të PS, Saimir Tahiri. Për këtë situatë të pazakontë, Edi Rama është detyruar të nxjerrë përpara mediave kreun e grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili ka kërkuar nga Ruçi të mos ketë vonesa, por të mbledhë sa më shpejtë Këshillin.