Arrestohet, krahu i djathtë i Habilajt, në kërkim vëllai

Krahu i djathtë i Habilajve, Nazer Sehiti, i cili thirrej me nofkën “Lolo” është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Vlorë. Arrestimi i Sehitit është bërë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas kërkesës së palës italiane.
Për arrestimin e tij janë angazhuar rreth 100 forca policie të ardhura nga Tirana kryesisht nga Delta Force, ndërsa Policia e Vlorës është shmangur totalisht nga aksioni. Operacioni antidrogë është shtrirë në fshatrat Velçë dhe Drashovicë, pasi mendohet se janë bazat e Habilajve, të arrestuar pak ditë më parë në Itali për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Me kërkesë të Prokurorisë, policia po ushtron kontrolle në këto fshatra ku mendohet se janë bazat e Habilajve, të arrestuar pak ditë më parë në Itali për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Policia hyn në banesa pa paralajmërim në të gjitha ambientet ku ka pasur dyshime se mund të kishte drogë. Policia po kërkon edhe Florian Habilajn, vëllai i vogël i Moisi Habilajt.

Prokuroria përjashtoi policinë nga aksioni për tonelatat e drogës së Habilajve

Operacioni për sekuestrimin e tonelatave të drogës së Habilajve në Babicë të Vlorës është kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me SHISH dhe autoritetet e huaja. Prokuroria bëri të ditur se ka përjashtuar nga aksioni Policinë e Shtetit për shkak se i druhej dekonspirimit të operacionit. Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, për kapjen e drogës në Babicë është kryer një hetim prej rreth një viti me Shërbimin Informativ dhe partnerët ndërkombëtarë.
Po ashtu bëhet e ditur se, për këtë aksion ka pasur një takim dy ditë më parë, mes kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla në zyrën e këtij të fundit. Frika nga dekonspirimi i magazinës së drogës në Babicë të Vlorës nga punonjës së policisë së atij qarku, bëri që takimi institucional të ishte dypalësh, duke përjashtuar drejtues të lartë të efektivëve blu.
Zyrtarisht burime nga Prokuroria, saktësojnë se lënda narkotike ishte kultivuar, përpunuar dhe magazinuar, duke u bërë gati për trafik nga persona, pjesë e grupit kriminal të njohur si Habilaj.
Për rëndësinë që ka marrë kjo dosje nga homologët italianë, të cilët publikuan përgjimet e anëtarëve të grupit Moisi Habilaj, këtë të enjte ka shkuar në qytetin bregdetar për një inspektim edhe kreu i organit qendror të akuzës Adriatik Llalla.
Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, ka dyshime të forta dhe informacione të plota për përfshirje në këtë veprimtari trafiku narkotikësh të shumë drejtuesve të Policisë në Vlorë dhe më gjerë, për të cilët po bëhen verifikimet e nevojshme. Ndërkohë, hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë, për zbulimin e të gjithë personave të përfshirë në grupin kriminal te Habilajve.
“Një hetim disa mujor i Prokurorisë për Krime të Renda u finalizua me zbulimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, në zonën e Babicës, Vlorë. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë, rezulton se lënda narkotike është kultivuar, përpunuar, magazinuar dhe është bërë gati për trafik nga persona, pjesë e grupit kriminal të njohur si Habilaj. Ndërkohë, hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë, për zbulimin e të gjithë personave të përfshirë në grupit kriminal. Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe me shërbimet inteligjente (SHISH)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Lënda narkotike ka qenë e fshehur në katin e parë të vilës 2-katëshe. Mësohet se vila është e rrethuar me sistem alarmi dhe sigurie. Ende nuk bëhen të ditura informacione të detajuara mbi këtë operacion, ndërsa as vetë familjarët e Armand Koçerrit, nuk kanë dashur të prononcohen. Droga u gjet në shtëpinë e Armand Koçerrit, me profesion infermier. Një kamion plot me qeset e drogës së paketuar dhe bidonë të tjerë të mbushur sërish me drogë ka qenë mjeti i transportit. Banesa në Babicë të Vogël të Vlorës, ku u sekuestruan rreth 4 tonë drogë mbrëmjen e së mërkurës ishte nën monitorim prej një viti nga Shërbimi Informativ shqiptar, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe partnerët e huaj.
Përveç tij një furgon i bardhë i mbushur sërish me kanabis. Dy makinat me drogë shoqëroheshin nga mjete dhe efektivë të Delta Force. Transporti është bërë rreth orës 3 të mëngjesit dhe droga tashmë ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Po ashtu bëhet e ditur se, droga ishte e paketuar dhe gati për t’u trafikuar, dyshohet drejt Italisë me mjete ujore. 4 ton kanabis u gjetën në banesën e Armando Koçerrit, i njohur si mik i Habilajve.
Në lidhje me aktivitetin kriminal të Habilajve për trafik droge mes Shqipërisë dhe Italisë, për të cilin Prokuroria e vendit fqinj ka përfunduar një hetim të shoqëruar dhe me arrestime. Moisi Habilaj, u ndalua disa ditë më parë në Siçili, si kreu i bandës së narkotrafikut, ndërsa vëllai i tij Florian Habilaj vijon ende të jetë në arrati së bashku me 3 persona të tjerë.