Taksa e pronës, do paguhet 21 milionë euro më shumë në 2018-ën

Qeveria ka bërë publik planin për të ndryshuar taksimin mbi pronën, nga fikse, në bazë të vlerës, ndonëse ende nuk është bërë i qartë projekti final. Në projektbuxhetin 2018, pritshmëria për të ardhurat nga taksa e pronës është rritur ndjeshëm në raport me programin afatmesëm të financave. Arkëtimi nga taksa e pronës pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë në raport me pritshmëritë e 2017-ës. Pra, shqiptarët do të paguajnë rreth 60 milionë euro taksë për pronën, apo rreth 21 milionë euro më shumë se këtë vit. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, të ardhurat nga taksa e pronës pritet të arrijnë në 0.5% të PBB-së, në linjë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në programin fillestar afatmesëm, parashikimi për të ardhurat nga taksa e pronës ishte 5.6 miliardë lekë (pothuajse njësoj me 2017-ën), në rreth 0.3% të PBB-së. Të ardhurat nga taksat lokale pritet me rënie në krahasim me 2017-ën, me 11.3% më pak, për të arritur në 10.3 miliardë lekë. /Monitor