Skënderbeu me 3 mungesa

Në “Elbasan Arena”, të enjten Skënderbeu do të synojë të marrë fitoren e parë në grupin B të Europa League në një ndeshje shumë të ndierë për të gjithë shqiptarët pasi përballë, korçarëve do të jetë një skuadër serbe. Por misioni nuk do të jetë aspak i lehtë për formacionin e Ilir Dajës. Edhe pse Skënderbeu e ka treguar shpeshherë që forca e vërtetë e kësaj skuadre bazohet te grupi dhe jo tek individët e veçantë, mungesat e dy lojtarëve titullarë siç janë sulmuesi i krahut Enis Gavazaj dhe mesfushori i talentuar nga Mali Bakary Nimaga pritet të peshojnë.
Të dy lojtarët janë të dëmtuar ashtu si edhe sulmuesi çek Martin Nespor, i cili ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të zhvilluar disa seanca terapie. Ndërkohë, presidenti Ardjan Takaj ka konfirmuar se edhe në këtë sfidë shpërblimi nuk ndryshon. Në rast fitoreje ndaj serbëve në xhepat e futbollistëve të Skënderbeut do të përfundojnë 100 mijë euro, ndërsa në rast barazimi shpërblimi do të jetë 50 mijë euro.
Ndaj Partizanit e Beogradit, Skënderbeu do të synojë tre pikët për t’u treguar të gjithëve se tashmë nuk është vetëm një skuadër që mjaftohet me pjesëmarrjen në grupet e Europa League. Korçarët do të tentojnë deri në ndeshjen e fundit të renditen të dytët në grupin B për t’u kualifikuar në raundin tjetër, por për të realizuar këtë mision të vështirë, Skënderbeu duhet të fitojë me çdo kusht ndeshjen e kësaj të enjteje ndaj Partizanit të Beogradit, një sfidë shumë e ndierë kjo për të gjithë shqiptarët për vetë situatën politike që ekziston midis dy shteteve.
Skënderbeu po vazhdon përgatitjet për këtë takim kaq të rëndësishëm me trajnerin Ilir Daja që në stërvitjen e fundit u ka kërkuar lojtarëve të tij shpejtësi në pasime dhe presing kur topin ta kenë kundërshtarët. Pa dy emra të rëndësishëm si Gavazaj dhe Nimaga të cilët janë të dëmtuar, korçarët gjithsesi do të zbresin në fushë me një formacion sulmues.Në skemën 4-3-3 të Ilir Dajës, e cila gjatë lojës mund të kthehet edhe në 4-2-3-1 për shkak të cilësive që zotërojnë futbollistët e Skënderbeut do të luajnë këta lojtarë.
Skënderbeu (4-3-3): Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Dita, Lilaj, Muzaka, Taku, James, Sowe.