Pentagoni nis kërkimet për rekrutë nga vendet e huaja

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po ndryshon një program që ua mundëson rekrutëve të huaj ushtarakë marrjen më të shpejtë të shtetësisë amerikane.
Udhëzimet e reja të njoftuara të premten do të ndikojnë tek personat me kartë të gjelbërt dhe rekrutët e regjistruar në programin e Interesit Kombëtar (MAVNI), që filloi në vitin 2009.
“Në bazë të udhëzimit që tashmë ka hyrë në fuqi, të gjithë personat me kartë të gjelbërt duhet të kalojnë me sukses një hetim paraprak përpara fillimit të shërbimit aktiv në forcat rezervë ose në gardën kombëtare”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Mbrojtjes.
Për t’u kualifikuar për programin e përshpejtimit të marrjes së shtetësisë, personat me kartë të gjelbërt, ose rekrutët tani duhet të plotësojnë kushtet fillestare të trajnimit për shërbimin ushtarak, të kenë shërbyer në ushtri për të paktën 180 ditë rresht, ose të paktën një vit shërbimi në forcat rezervë dhe kalojnë me sukses një kontroll të hollësishëm të biografisë.
Ky është një ndryshim nga praktika e tanishme, sipas së cilës një rekrut ushtarak do të kualifikohej për “procesin e përshpejtuar të marrjes së shtetësisë” pas vetëm një dite shërbimi.
Megjithëse programi promovon përshpejtimin e marrjes së shtetësisë amerikane, rekrutët duhet të kenë kartën jeshile për të paktën dy vjet para se të aplikojnë. Normalisht, një person i pajisur me kartë të gjelbërt, duhet të jetë banor i përhershëm për pesë vjet, para se të ketë të drejtë të aplikojë për marrjen e shtetësisë, ose së paku tre vjet për ata që kanë marrë kartën e gjelbërt përmes martesës me një shtetas amerikan.