Basha: Largimi i Ramës dhe qeveri antimafia

Deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas tryezës së Frontit të Bashkuar Opozitar

Fronti i Bashkuar Opozitar nga kjo tryezë ka dalë me një vendim të përbashkët dhe një qendrim të përbashkët, që sapo i është shpërndarë mediave dhe opinionit publik.

Vendimi është; krijimi i një Fronti të Bashkuar Opozitar kundër krimit, pjesë e të cilit me efekt të menjëhershëm janë të gjitha partitë politike që iu përgjigjen thirrjes time në këtë tryezë dhe ftesa qëndron e hapur për çdo parti tjetër politike dhe çdo faktor tjetër shoqëror, në veçanti për intelektualët e këtij vendi, shoqërinë civile, botën akademike, përfaqësuesit e medias.

Sepse, Shqipëria ndodhet para një gremine të vërtetë.

Si ndihet dikush që ka denoncuar 4 vite me radhë lidhjet e Edi Ramës dhe qeverisë së tij me krimin, kur këto faktohen dhe provohen, siç ndodhi me skandalin e djeshëm që është maja e ajsbergut të të vërtetave tronditëse për narko-shtetin dhe drejtuesin e këtij narko-shteti që është Edi Rama?

Këtë pyetje, nuk ia bëj thjesht vetes time, por dhjetra-qindra shqitarëve të ndershëm, që nga oficerët e ndershëm të Policisë, simboli i të cilëve sot është Dritan Zagani, tek gazetarët kurajozë dhe përfaqësuesit e tjerë të ndershëm, të organizatave joqeveritare dhe të faktorit politik që, për 4 vite me radhë, në krah të Partisë Demokratike dhe të opozitës kanë bërë betejë kryesore luftën për shembjen e kupolës mafioze-politike të drejtuar nga Edi Rama.

Sot shqiptarët kanë provat e pakundërshtueshme të kësaj marrdhënie krim dhe politikë, kanë provat e pakundërshtueshme se përfituesi kryesor i kanabizimit të vendit, i qindra-milionë eurove të drogës, është vetë Edi Ramës.

Kanë prova, se këto para janë përdorur për të kriminalizuar zgjedhjet përmes shitblerjes së votave dhe përdorimit të bandave kriminale për tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve.

Pyetja që i shtron vetes çdo shqiptar sot është:

Çfarë do të bëjmë më tej?

A mund të vazhdohet më kështu?

A mund ti besohet më rendi dhe siguria e përditshme e jetës së shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre, kësaj kupole mafioze dhe kriminale në pushtet?

A mund të ketë çdo shqiptar i djathtë apo i majtë besim se është kjo qeveri dhe ky kryeministër të cilit i besohet për aq sa i takon, zbatimi i reformës në drejtësi?

A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një kryeministër dhe një mazhorancë të kapur në flagrancë me prova dhe fakte të pakundërshtueshme si shkatërruesja e procesit zgjedhor në aleancë me krimin?

Përgjigja për çdo shqiptar është kjo:

Kjo është koha që të marrim sëbashku vendime të mëdha jo për partitë politike sot të pranishme në këtë tryezë, jo për fatin e Partisë Demokratike apo të partive të tjera politike të pranishëm në këtë tryezë, por për fatin e çdo shqiptari dhe fëmijëve të shqiptarëve nesër.

Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon largimin e kryeministrit Rama si drejtuesi, si përgjegjësi dhe drejtuesi i narko-shtetit, përfituesi i drejtpërdrejtë i lidhjeve të tij mafioze dhe ministrave të tij, me narko- trafikantët dhe trafikantët e armëve.

Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon krijimin e një qeverie anti-mafia dhe të reformës zgjedhore me qëllim shembjen e lidhjeve të krimit me politikën dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si e vetmja rrugë për t’i kthyer legjitimitetin qeverisë.

Këto janë tre vendimet e sotme të tryezës që pata kënaqësinë dhe nderin ta thërras mbrëmjen e kaluar dhe mbi bazë të këtyre tre vendimeve, të gjithë faktorët politikë të pranishëm në këtë tryezë dhe çdokush tjetër, të cilit dhe të cilës i bëjmë aktivisht thirrje të bëhet pjesë e këti fronti të bashkuar opozitar, do të vendosim axhendën dhe kalendarin e veprimeve.