Shqiptarët të mbajnë shtetësinë që duan, qeveritë të mos bëhen pengesë

Ish-Kryeministri Berisha i është përgjigjur interesit të mediave në Kosovë në lidhje me diskutimet mbi pajisjen e qytetarëve kosovarë me pasaportë shqiptare.

-Zoti Berisha, dje Presidenti Meta u përball me një kërkesë nga Presidenti Thaçi për pajisje me pasaportë shqiptare për qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyrë që të thyhet muri shengen për qytetarët e Republikës së Kosovës
Së pari, unë përkrah dhe mbështes çdo hap që njëhson praktikat e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë. Së dyti, lidhur me problemin konkret unë mendoj se një qëllim tjetër më madhor duhet të qëndrojë prapa këtij propozimi të drejtë. Pra është e domosdoshme që qeveria e Kosovës dhe qeveria shqiptare, të firmosin si dy vende të pavarura, por që ndajnë një komb unik, të firmosin marrëveshjen mbi shtetësinë, në përputhje me të cilën çdo shqiptar që banon në Shqipëri do të ketë automatikisht në një formular dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe anasjelltas. Kjo është parashikuar në një vendim të qeverisë së mëparshme të vitit 2012, në të cilën duke studiuar me vëmendje legjislacionin…. Ju e dini që ka ekzistuar një dekret i Presidentit i vitit 1992, që i njihte shtetësinë shqiptare shqiptarëve kudo që jetonin në trevat e tyre ose në botë. Ky dekret, për fat të keq, nga pozicione albanofobike u la mënjanë dhe u bë një ligj, i cili pengonte në mënyrat më maksimale marrjen e shtetësisë shqiptare nga shqiptarët. Megjithatë, duke e studiuar atë ligj me ekspertët më të mirë arritëm që të bëjmë një vendim, në përputhje me të cilin, shqiptarët kudo që ishin, përveçse në Republikën e Kosovës, merrnin shtetësinë shqiptare kundrejt mbushjes së një formulari nëse e dëshironin atë. Për Republikën e Kosovës, duke qenë se kemi të bëjmë me një vend të pavarur, ky vendim parashikon një marrëveshje ndërshtetërore midis dy shteteve Shqipërisë dhe Kosovës, që t’u njohin qytetarëve të tyre të drejtën e shtetësisë që dëshirojnë ose të dy-shtetësive.

– Kjo garantohet me Kushtetutën e Kosovës…
Edhe me Kushtetutën e Shqipërisë plotësisht, është e stamposur në preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ky do ishte hapi që mund të bëhej pa asnjë lloj problematike, pasi unë nuk di vend në Rajon që të mos ketë adaptuar këtë për kombin e tij si të tillë, unik. Edhe ne duhet ta adaptojmë. Uroj që propozimi i zotit Thaçi të merret në mënyrë më serioze dhe qeveritë të përgatisin marrëveshjen për të drejtën e shtetësisë së shqiptarëve kudo që banojnë. Kjo pastaj zgjidh dhe probleme të tjera, por ne nuk mund të rrimë pa u dhënë shqiptarëve këtë të drejtë një minutë e më parë.

– A mund të sjellë kokëçarje për Shqipërinë që mund t’i hiqet e drejta edhe shqiptarëve të Shqipërisë të udhëtojnë pa viza?
Nuk synon kjo çështje e Shengen. Kjo synon vendosjen e një norme kombëtare që është jetike për kombin shqiptar. Pse paskan të drejtë kombe të tjera përreth të aplikojnë të drejtën e shtetësisë për bashkëkombasit e tyre në vende të tjera dhe nuk qenka problem kjo? Nuk mund të jetë Shengen një pengesë në asnjë rrethanë. Sikundër dua të them këtu, se në mënyrë absolute Kosova është një nga vendet që ka standardet më të mira përsa u përket kritereve ose kërkesave për heqjen e vizave.
Nuk arrij të kuptoj se pse qënka demarkacioni një kriter në këtë mes. Demarkacioni mund të jetë një kriter në avancimin e procesin e integrimit, kurse heqja e vizave është një e drejtë që u është njohur dhe vendeve, të cilat ndofta dhe për 100 vitet e ardhshme nuk kanë ndërmend të integrohen në BE.

– Megjithatë nuk ishte një përgjigje pozitive me automatizëm nga Presidenti Meta.
Zoti Ermal, unë mendoj se çështja duhet kapur në themel, dhe themeli duhet të jetë marrëveshja ndërqeveritare për t’i dhënë përgjigjen e plotë dhe përfundimtare çështjes së shtetësisë së shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo çështje duhet të marrë zgjidhje. Shqiptarët duhet të kenë të drejtë të mbajnë cilën shtetësi që të duan, t’i mbajnë të dy shtetësitë po të duan, qeveritë nuk mund të bëhen pengesë për këtë.

– Megjithatë analistët e quajnë presion të zotit Thaçi në drejtin të BE në mënyrë që të lëvizë më shpejt dhe të heqë dorë nga kërkesa apo kushti siç është demarkacioni për procesin e liberalizimit të vizave.
Unë në fakt nuk jam njeri që besoj shumë në presionet ndaj Brukselit sepse BE, mendoj unë, nuk mund të presohet nga qeveritë e vendeve të Ballkanit, por shqiptarët kanë njëmijë e një motive për t’i dhënë përgjigje përfundimtare të drejtës së shtetësisë së tyre, sepse kjo ka bërë me probleme shumë herë më themelore se sa vizat, ka të bëjë me çështje pronësie dhe garancie pronësie, ka të bëjë me çështje investimesh, ka të bëjë me një seri çështjesh që marrin përgjigje dhe zgjidhjen më të mirë. Natyrisht nuk mund të injorohet dhe problemi i vizave, por jo si formë presioni, sepse nuk mendoj se vendet periferike të Europës mund të bëjnë presione të madha në metropolet e saj.

Marrë nga Radio “Dukagjini”