Shqipëria në krizë urie, në grupin e botës së tretë

Shqipëria po përjeton ditë të rënda migjeniane ku kriza e urisë duket se po përfshin gjithë vendin duke gjunjëzuar familjet shqiptare në një betejë të përditshme për bukën e gojës.
Janë shifrat e indeksit global të urisë që i përplasin në fytyrë qeverisë Rama tablonë e errët ku ka katandisur çdo familje të thjeshtë shqiptare sot.
Shqipëria në sytë e botës dhe Europës është një vend që vuan urinë, dhe vendi më problematik në kontinent në këtë drejtim.
Këto përfundime shfaqen në raportin e Institutit Ndërkombëtar të Politikave dhe Kërkimit ushqimor që ka publikuar së fundmi “Indeksin e urisë 2017”.
Raporti merr në vlerësim 119 vende, dhe Shqipëria është një ndër 10 vendet europiane të ekzaminuara.
Ndër këto 10 vende europiane, rezulton e fundit, e po ashtu rezulton e fundit në rajon, pas vendeve si Maqedonia, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi apo Serbia.
Këtë fakt e ilustron mjaft mirë edhe harta, ku ngjyra jeshile e hapur tregon një nivel të moderuar të urisë, ndërkohë që ngjyra e gjelbërt tregon një nivel të ulët të urisë.
Në raportin e këtij viti, Shqipëria renditet e 48-ta në botë, dhe se mbetet e fundit në Europë, pranë vendeve të botës së tretë.
Pjesë e raportit janë ekonomi jo shumë të zhvilluara, ndërkohë që pjesën dërrmuese e zënë vendet e cilësuara ndryshe si të botës së tretë. Me një indeksim ku norma më e lartë tregon performancë më të dobët, Shqipëria në vitin 2017 grumbullon 11.1 pikë nga 11.8 pikë që grumbullonte në vitin 2016, por sërish kjo spërbën asnjë diferencë në atë që Shqipëria po vuan sot, krizën e urisë.
Por nuk është vetëm indeksi global. Shqipëria shpërfaqet si një nga vendet më të varfëra të Europës në çdo raport ndërkombëtar të institucioneve që merren me çështje ekonomike dhe sociale.
Oxfam, një nga institutet më prestigjioze në botë për kërkimet ekonomike, e ka renditur qeverinë shqiptare si qeverinë e katërt më të keqe të botës në luftën kundër pabarazisë. Në raportin e këtij viti, Oxfam krahason qeveritë e 154 vendeve të botës sipas angazhimit të tyre për të luftuar pabarazinë.
Qeveria shqiptare renditet në zonën e turpit, krahas vendeve si Nigeria, Bahreini dhe Mianmari. Këto janë vende, pasuria e të cilave zotërohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe ku qeveritë, jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për të luftuar pabarazinë, por me politikat e tyre favorizojnë oligarkët. Sipas raportit, në vendin e parë si qeveria më e angazhuar dhe më e suksesshme në luftën kundër pabarazisë renditet ajo e Suedisë. Në dhjetë vendet e para figurojnë vetëm vendet e Europës Perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë. Ndërsa në 10-tëshen e fundit të tabelës, përveç qeverisë shqiptare qëndrojnë ajo e Nigerisë, Tongës, Buthanit, Panamasë etj.
Shqipëria renditet si vendi me shkallën më të lartë të varfërisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Erupë. Banka Botërore në raportin e saj për vitin 2016, vëren se gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë jeton në kushtet e varfërisë së moderuar.
45.5% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, citon raporti i Bankës Botërore. Kurse, vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia janë në nivele shumë herë më të ulta të varfërisë, karahasuar me vendin tonë, po sipas të njëjtit raport.
Nga ana tjetër, përafërsisht, një në gjashtë shqiptarë, ka një kredi në një prej bankave tregtare në vend. Të paktën në këtë përfundim arrin Fondi Monetar Ndërkombëtar, që sapo ka publikuar anketën e aksesit financiar 2017, që është një ndër mekanizmat më të saktë dhe më të detajuar të fondit, sa i përket aksesit të njerëzve në sektorin financiar në secilën prej 180 ekonomive të ndryshme të botës.
Indikatori që mat numrin e huamarrësve për 1000 banorë, për Shqipërinë fiksohet në 157.8 për vitin 2016, dhe në rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës, kur fiksohej në vetëm 146.94 kreditorë për çdo 1000 banorë, çka përkthehet në 1 në 7 shqiptarë përafërsisht. Të dhënat e fondit monetar ndërkombëtar për këtë indikator janë ndër vite, dhe paraqesin një situatë mjaft interesante. Rezulton se, në vitin 2005, pra 12 vite më parë, vetëm 1 në 31 shqiptarë, kishte një kredi.
Përveç viteve 2009, 2013 dhe 2015, në të gjitha vitet e tjera, indikatori ka pësuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës.
Të dhënat e publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar argumentojnë me shifra nevojën në rritje për financim, lehtësinë e kredidhënies nga bankat tregtare me kalimin e viteve, paçka se bëhet fjalë për një periudhë të shkurtër kohe, afro një dekadë, si dhe evoluimin e ekonomisë shqiptare, e sidomos asaj familjare gjatë kësaj periudhe kohore.